
Aktori i njohur, Çun Lajçi ka reaguar ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar se prioritet absolut duhet të mbetet mbrojtja e interesit shtetëror dhe forcimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Në reagimin e tij, Lajçi vë në pikëpyetje narrativën për mungesë uniteti rreth presidentes Vjosa Osmani, duke e cilësuar atë si të motivuar politikisht.
Sipas tij, historia politike e vendit që nga viti 2008 dëshmon se asnjë lider nuk ka arritur të prodhojë unitet të plotë, për shkak të fragmentimit të skenës politike dhe dominimit të interesave partiake mbi ato shtetërore.
“Si mund të kërkohet unitet real, kur prioritet mbetet interesi partiak dhe jo ai kombëtar?”, shtron ai pyetjen në reagimin e tij.
Sipas Lajçit, përçarjet e brendshme shpesh janë prodhuar nga vetë liderët politikë, në emër të një uniteti selektiv dhe të përshtatur për nevoja elektorale.
Në postimin e tij, aktori vlerëson se Presidentja Osmani ka arritur të artikulojë me qartësi dhe dinjitet zërin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke shtuar se problemi nuk qëndron te figura, por te mentaliteti përjashtues politik.
“Në një moment delikat për vendin, Kosova nuk ka luksin të eksperimentojë me figura që duhet të nisin nga zero në ndërtimin e besimit ndërkombëtar. Nevojitet përvojë, kredibilitet dhe qasje e drejtpërdrejtë”, shkruan ai..