
Shqipëria ka depozituar pranë Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dokumentin zyrtar që vërteton ratifikimin e “Marrëveshjes për pranimin e Republikës së Shqipërisë në Kartën e Bordit të Paqes”.
Bëhet fjalë për Instrumentin e Ratifikimit, i cili përbën aktin formal që dëshmon se procedurat kushtetuese në vend janë përmbyllur dhe se marrëveshja ka marrë fuqi të plotë juridike nga pala shqiptare.
Ambasada e Shqiperinë në SHBA, ka publikuar edhe dokumentin e ratifikimit, të nënshkruar nga Minidtrja për Evropën dhe Punë të Jashtme, Elisa Spiropali.
Sipas njoftimit, depozitimi i këtij dokumenti pranë autoriteteve amerikane shënon finalizimin e angazhimit të ndërmarrë nga Shqipëria në këtë iniciativë, duke konsoliduar rolin e saj në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
“Ky hap formalizon përfundimisht angazhimin tonë në këtë iniciativë të rëndësishme dhe përfaqëson një tjetër moment domethënës në thellimin e rolit të Shqipërisë në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”.
Autoritetet shqiptare e konsiderojnë këtë hap si një moment domethënës në forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në thellimin e angazhimit të vendit në arkitekturën euroatlantike të sigurisë.