Takimi Osmani-Prattipati, siguria rajonale dhe anëtarësimi në NATO në fokus

14:55 | 26 Shkurt 2026
takimi-osmani-prattipati,-siguria-rajonale-dhe-anetaresimi-ne-nato-ne-fokus

Në komunikatë bëhet e ditur se Osmani shprehu edhe njëherë mirënjohje për ftesën e presidentit amerikan, Donald Trump, që Kosova të jetë shtet bashkëthemelues i Bordit të Paqes, si dhe për garancat e dhëna për paqen dhe stabilitetin në rajon, duke rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për angazhim dhe kontribut të vazhdueshëm.

Ajo veçoi po ashtu çështjet e diskutuara në takimin me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, duke theksuar diskutimet e fokusuara në avancimin e partneritetit strategjik Kosovë-ShBA, me theks në sigurinë rajonale, diplomacinë, ekonominë dhe mbrojtjen. Presidentja ritheksoi rëndësinë e pranisë ushtarake amerikane dhe të aleatëve në kuadër të NATO-s si faktor kyç për stabilitetin, si dhe theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik për paqe afatgjatë.

Më tej bëhet e ditur se presidentja gjatë këtij takimi nënvizoi sërish rëndësinë e vijimit të dialogut strategjik bilateral, duke theksuar se partneriteti me ShBA-të është interes jetik dhe ekzistencial për Republikën e Kosovës.

Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks në rëndësinë e përmbylljes së proceseve kushtetuese dhe konsolidimit të plotë institucional, në funksion të stabilitetit demokratik, zhvillimit të vendit dhe adresimit të nevojave të qytetarëve.

Duke folur për zhvillimet e fundit në vend, presidentja Osmani vuri në pah edhe përmirësimet e dukshme në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit në veri të vendit, të reflektuara në raportet e fundit të Policisë së Kosovës për rendin dhe ligjin gjatë vitit 2025. Sipas këtyre të dhënave, konfirmohet një situatë dukshëm më e qetë dhe më e sigurt për të gjithë qytetarët në atë pjesë të vendit.

Komento: