Shiroka-Pula mohon së në takim me Kurtin është biseduar për çështjen e presidentit: Nuk jam kandidate

12:30 | 28 Shkurt 2026
shiroka-pula-mohon-se-ne-takim-me-kurtin-eshte-biseduar-per-ceshtjen-e-presidentit:-nuk-jam-kandidate

Kryetarja e Akademisë së Shkencave, Justina Shiroka-Pula, ka mohuar se është kandidate për presidente.

Ajo në një prononcim për gazetën Nacionale ka thënë se gjatë takimit të djeshëm me kryeministrin Albin Kurti nuk është biseduar fare për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri.

Shiroka-Pula ka thënë se në takim me shefin e qeverisë është diskutuar vetëm për punën e akademisë.

“Ka qenë takim profesional, kam qenë edhe me dy nënkryetarë të Akademisë, dhe kemi folur vetëm për projekte të Akademisë. Asnjë pyetje direkte dhe as indrekte nuk ka qenë për mua në lidhjen me çështjen e presidentit”, ka thënë ajo, duke dhënë detaje tjera.

“Biseda ka qenë thjesht për projektet e akademisë, çka kemi punuar dhe ka mendojmë me punu në të ardhmen. Ne i treguam se cilat projekte i kemi. Nuk është hapur fare kjo çështje”, ka thënë ajo.

Ajo ka bërë me dije se as para takimit nuk ia ka përmendur ndokush këtë temë.

Komento: