
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj sulmeve që ai i cilësoi si të “verbëra dhe të dëshpëruara” nga Irani kundër Emiratet e Bashkuara Arabe, duke i konsideruar ato si kërcënim për stabilitetin rajonal dhe sigurinë ndërkombëtare.
Në një deklaratë publike, Rama theksoi se sulmet nuk janë thjesht kundër një shteti sovran, por ndaj vetë idesë së një Lindjeje të Mesme të ndërtuar mbi paqen dhe bashkëpunimin.
“Sulmet e verbëra dhe të dëshpëruara të Republikës Khomeiniste kundër Emirateve të Bashkuara Arabe nuk janë thjesht një sulm ndaj një kombi sovran. Ato janë një sulm ndaj stabilitetit, prosperitetit dhe vetë idesë se Lindja e Mesme mund të përcaktohet nga paqja dhe bashkëpunimi, në vend të luftës dhe kaosit”, u shpreh ai.
Kryeministri përmendi edhe Dubain si simbol të zhvillimit dhe stabilitetit në rajon.
“Synimi i një oaze paqeje si Dubai me raketa urrejtjeje dhe shkatërrimi zbulon edhe një herë natyrën e vërtetë të regjimit mesjetar në Teheran”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se Emiratet e Bashkuara Arabe janë kthyer në një model të një Lindjeje të Mesme moderne. “Emiratet e Bashkuara Arabe janë bërë një simbol global i promovimit të paqes, hapjes ndaj dialogut, dinamizmit ekonomik, bashkëjetesës ndërfetare dhe vitalitetit kulturor”, theksoi ai.
Sipas Ramës, siguria në Gjirin Persik është një çështje me rëndësi globale. “Siguria në Gjirin Persik nuk është një shqetësim lokal; është një imperativ global”, u shpreh ai, duke paralajmëruar se çdo përpjekje për destabilizim kërcënon rrugët energjetike, korridoret tregtare dhe arkitekturën e brishtë të paqes rajonale.
Në fund, kryeministri shqiptar nënvizoi mbështetjen e plotë të Shqipërisë për Emiratet e Bashkuara Arabe dhe udhëheqjen e tyre, duke veçuar Presidentin Mohammed bin Zayed Al Nahyan.
“Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë dhe të palëkundur me udhëheqjen dhe popullin e Emirateve të Bashkuara Arabe”, tha Rama, duke shtuar se “ata që zgjedhin errësirën dhe shkatërrimin duhet ta gjejnë veten të izoluar nga një botë që përfaqëson stabilitetin, bashkëpunimin dhe paqen”. /Telegrafi/
The blind and desperate attacks of the Khomeinist Republic against the United Arab Emirates are not merely an assault on a sovereign nation. They are an assault on stability, prosperity, and on the very idea that the Middle East can be defined by peace and cooperation rather than…
— Edi Rama (@ediramaal) March 1, 2026