
Lëvizja Vetëvendosje njoftoi për mbajtjen e mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë sot.
LVV njoftoi ndër tjerash se kryetari i partisë, kryeministri Albin Kurti foli aty edhe për çështjen e Presidentit.
“Kryeministri po ashtu në fjalën e tij foli edhe për temën e Presidentit me ç’rast ai njoftoi për perpjekjet maksimale që po bën në këtë çeshtje dhe njëkohësisht evitimin e zgjedhjeve të reja”, thuhet në njoftimin e LVV-së.
Njoftimi tregon se pjesa e parë e mbledhjes u shënua nga fjalimi i Kurtit, “i cili iu drejtua anëtarëve të Këshillit me një falënderim për angazhimin e secilit e secilës që me punën e tyre u arrit ky rezultat”.
“Kryeministri theksoi se zgjedhjet e dhjetorit nuk i kërkuam ne, as qytetarët nuk kërkonin një tjetër proces elektoral. Vendi kishte nevojë për punë e paqe, për vazhdimësi e siguri, për zhvillim e stabilitet. Por kur zgjedhjet u bënë të pashmangshme, populli foli qartë. Ai nuk deshi kthim pas, por vazhdim përpara. Dhe këtë e shprehu me një fitore të madhe, me 51.1% të votave, duke e kthyer një situatë të padëshiruar bllokimi në një mandat të fuqishëm për progres”, thuhet ndër tjerash në njoftim.