Kurti: Garë e hapur për Presidentin ose figurë unifikuese me së paku 80 vota

21:25 | 01 Mars 2026
kurti:-gare-e-hapur-per-presidentin-ose-figure-unifikuese-me-se-paku-80-vota

Kryeministri i Albin Kurti ka deklaruar se procesi për zgjedhjen e Presidentit të vendit kërkon konsensus të gjerë politik dhe bashkëpunim ndërmjet pozitës dhe opozitës, duke theksuar se për zgjedhjen e kreut të shtetit nevojiten 80 vota në Kuvend.

Pas formimit të qeverisë, Kurti tha se ka nisur menjëherë takimet me liderët e dy partive më të mëdha opozitare, PDK-së e LDK-së për të diskutuar mundësitë e tejkalimit të situatës në mënyrë institucionale.

Kurti thotë se pas takimit të dytë me kryetarin e Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, i është komunikuar qëndrimi i kryesisë së kësaj partie se Presidenti duhet të vijë nga radhët e PDK-së.

“Zgjedhjen për President nuk e garanton përkatësia partiake, por vota në Kuvend”, theksoi Kurti, duke shtuar se kandidati mund të vijë nga cilido subjekt politik, përfshirë VV, LDK apo PDK.

Ai paralajmëroi se nëse nuk arrihet konsensus për një figurë unifikuese me së paku 80 vota, atëherë mbetet opsioni që secili subjekt të propozojë kandidatin e vet dhe të zhvillohet një garë e hapur në Kuvend, ashtu siç e parasheh Kushtetuta.

Kurti njoftoi se do të takohet edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar mbi ecurinë e procesit.

“Ne, si Lëvizje VETËVENDOSJE!, jemi të gatshëm për të dyja opsionet”, përfundoi ai, duke kërkuar konstruktivitet nga opozita për të siguruar zgjedhjen e Presidentit pa e çuar vendin në zgjedhje të reja.

Fjalimi i plotë i Kurtit për çështjen e Presidentit në mbledhjen LXII të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!:


Më lejoni disa fjalë rreth kësaj çështjeje, për të cilën tashmë nuk kanë mbetur edhe shumë ditë. Pas formimit të qeverisë kemi filluar angazhimin intensiv për këtë proces, duke pasur parasysh kohën e shkurtër që kemi në dispozicion, por gjithmonë pa harruar faktin thelbësor se për zgjedhjen e Presidentit nevojiten 80 vota në Kuvend.

Kam qenë plotësisht i vetëdijshëm se Lëvizja VETËVENDOSJE! e vetme nuk i ka 80 vota. Për këtë arsye, menjëherë kam vendosur kontakte me liderët e dy partive më të mëdha opozitare, me qëllim që të diskutojmë për mënyrat për tejkalimin e kësaj sfide në mënyrë institucionale dhe të përgjegjshme. Takimet kanë qenë konstruktive dhe, fillimisht, ka qenë një pajtueshmëri se vendi ka nevojë për një figurë unifikuese. Një figurë e tillë, e padiskutueshme për të gjithë, sigurisht që do të ishte një kandidat nga familja emblematike Jashari. Bindja ime ka qenë dhe vazhdon të mbetet se një figurë e profesor e personalitet si Murat Jashari do të gëzonte mbështetje gjithëpartiake, do të ishte nder për Republikën, stabilitet për institucionin dhe siguri për kombin.

Rrethanat gjeopolitike nga lufta në Ukrainë, konflikti SHBA-Iran dhe tensionet në Lindjen e Afërt e të Mesme, si dhe kërcënimet dhe sulmet e njëpasnjëshme nga Serbia – përfshirë agresionin terrorist në Banjskë, sulmin kinetik në kanalin Ibër-Lepenc dhe kërcënimet e përditshme nga fqinji ynë verior – kërkojnë një moment reflektimi dhe një figurë e cila i bën ballë shtrëngatave me të cilat mund të përballet vendi ynë. Në kohë të vështira, ne gjithmonë, siç e dini të gjithë ju, kemi gjetur mbështetje dhe frymëzim te familja Jashari, ashtu siç gjetëm në kohën e luftës nën udhëheqjen e Kryekomandantit Adem Jashari, prandaj edhe sot zgjedhja e një figure si Murat Jashari do të ishte zgjedhja e duhur në momentin e duhur. Pra, ky do të ishte dhe vazhdon të mbetet rasti ideal.

Megjithëkëto, pas takimit të dytë që pata me Kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, më është kumtuar nga një qëndrim i kryesisë së tyre se ata tashmë konsiderojnë se Presidenti nga java e ardhshme duhet të vijë nga PDK-ja. Nisur nga ky qëndrim, unë mendoj se kandidati mund të vijë nga cilido subjekt – qoftë nga PDK, LDK apo Lëvizja VETËVENDOSJE! – por, në fund, zgjedhjen për President nuk e garanton përkatësia partiake, por vota në Kuvend.

Nëse nuk arrijmë të gjejmë një figurë unifikuese që siguron mbështetjen e së paku 80 deputetëve, atëherë një nga opsionet e mbetura është që secili subjekt të propozojë kandidatin e vet partiak dhe të gjithë t’i nënshtrohen garës brenda Kuvendit. Këtë e parasheh edhe Kushtetuta, e cila garanton një proces demokratik ku së paku dy kandidatë i nënshtrohen një gare të drejtë, me kuorum të siguruar, duke shmangur nevojën për zgjedhje të jashtëzakonshme. Në fund, do të fitojë ai apo ajo që arrin të marrë mbështetjen e deputetëve në cilindo nga 3 raundet, ashtu siç e kërkon kushtetuta në procedurën e saj.

Nesër do ta takoj edhe Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, ku do të diskutojmë edhe me të rreth këtij procesi. Mirëpo ne kemi qëndrimin që, nëse subjektet pajtohen që ky të jetë rrugëtimi, pra garë e hapur ku secili subjekt ka kandidatin apo kandidaten për President, atëherë edhe ne pajtohemi me këtë qasje dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta ketë kandidatin e saj për President.

Komento: