
Presidenti amerikan Donald Trump kritikoi kryeministrin britanik Keir Starmer dhe u shpreh i zhgënjyer për marrëdhëniet SHBA–Mbretëri e Bashkuar në një intervistë për The Sun.
Donald Trump tha se marrëdhënia mes SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar “nuk është siç ka qenë më parë” dhe se Keir Starmer “nuk ka dhënë ndihmë” në luftën e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, shkruan The Guardia.
Në intervistën e tij të dytë me një gazetë britanike brenda dy ditësh, Trump i tha The Sun: “Është shumë e trishtueshme të shohësh që marrëdhënia padyshim nuk është ajo që ishte”.
“Nuk e kisha menduar kurrë se do ta shihja këtë. Nuk e kisha menduar kurrë se do ta shihja këtë nga Mbretëria e Bashkuar”.
Në një fjalim në Dhomën e Ulët të Parlamentit britanik të hënën, Starmer tha se Mbretëria e Bashkuar nuk do t’i bashkohet SHBA-së dhe Izraelit në sulme ofensive, por do të fokusohet në “veprime mbrojtëse” – një dron goditi bazën RAF Akrotiri në Qipro të dielën dhe dy dronë të tjerë u rrëzuan teksa po drejtoheshin në atë drejtim të hënën.
Të dielën në mbrëmje, Starmer njoftoi se Mbretëria e Bashkuar do t’i lejojë SHBA-së të përdorë bazat britanike në operacionet e saj në Iran.
Trump i tha The Sun se kryeministri “ka vështirësitë e tij” dhe se Mbretëria e Bashkuar nuk ishte më “një vend aq i dallueshëm”, duke përmendur në mënyrë të veçantë Londrën dhe kryebashkiakun e saj, Sadiq Khan.
“Londra është një vend shumë ndryshe, me një kryebashkiak të tmerrshëm. Ju keni një kryebashkiak të tmerrshëm atje, disa njerëz të tmerrshëm”, tha Trump.