Supremja e liron nga paraburgimi N.B., vendos të mbrohet në liri

11:55 | 05 Mars 2026
supremja-e-liron-nga-paraburgimi-nb.,-vendos-te-mbrohet-ne-liri

Gjykata Supreme ka marrë vendim që të aprovojë kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në çështjen penale ndaj të pandehurit N.B., i dyshuar për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, duke i ndërprerë masën e paraburgimit dhe duke e liruar që të mbrohet në liri.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se me këtë vendim janë ndryshuar aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prizren dhe të Gjykatës së Apelit lidhur me caktimin dhe vërtetimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit për veprën penale falsifikimi i rezultatit të votimit.

Gjykata Supreme ka vlerësuar se vendimet e dy instancave më të ulëta nuk kanë dhënë arsyetim të mjaftueshëm për caktimin e paraburgimit.

“Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pretendimeve të paraqitura në kërkesë, Gjykata Supreme ka vlerësuar se dy instancat më të ulëta gjyqësore nuk kanë dhënë arsyetim bindës dhe të qëndrueshëm lidhur me ekzistimin e bazës ligjore për caktimin e paraburgimit”, thuhet në njoftim.

Sipas Supremes, arsyetimet për rrezikun e ndikimit në dëshmitarë apo përsëritjen e veprës penale kanë qenë vetëm supozuese.

“Arsyetimet e dhëna lidhur me rrezikun e ndikimit në dëshmitarë apo përsëritjes së veprës penale janë të natyrës supozuese dhe nuk mbështeten në prova konkrete”, theksohet në vendim.

Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se nuk ekziston rrezik real që i pandehuri të ndikojë në dëshmitarë apo të përsërisë veprën penale, duke pasur parasysh se procesi zgjedhor tashmë ka përfunduar dhe rezultatet janë certifikuar.

Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme ka theksuar se paraburgimi duhet të përdoret vetëm si masë e fundit.

“Paraburgimi paraqet masë të fundit (ultima ratio), e cila duhet të zbatohet vetëm në mënyrë të jashtëzakonshme dhe vetëm kur plotësohen qartë kushtet e përcaktuara me ligj”, thuhet në vendimin e Supremes.

Komento: