
Tre kosovarë kanë mbetur të vdekur si pasojë e shembjes së betonit në një kantier ndërtimi në Austri.
Në mesin e viktimave është edhe Asllan Musliu, një ish-veteran i UÇK-së, për të cilin detaje nga rasti tragjik ka ndarë familjari i tij, Erkan Destani.
Destani ka konfirmuar se tashmë i ndjeri kishte më shumë se 20 vite që jetonte jashtë vendit, teksa pas ka lënë gruan dhe një vajzë 7-vjeçare.
“Ne si familjarë e pritëm me shumë dhimbje. Informacionet që kemi deri tani janë se po kryhen ekspertizat e nevojshme nga ana e policisë austriake dhe zjarrfikësve. Në bazë të informatave, një shtyllë betoni që e mban betonin ka rënë nga kati i lartë i ndërtesës dhe ka marrë me vete edhe viktimat teposhtë. I ndjeri ka qenë i moshës 49-vjeçare. Ka shërbyer si pjesëtar i UÇK-së, ndërsa pas luftës ka punuar si rreshter në TMK. Pastaj, që 20 e sa vite ka qenë në gurbet. Ka qenë i martuar dhe ka lënë pas gruan e një vajzë 7-vjeçare. Për momentin është shumë e dhimbshme. Jemi në kontakt me Ambasadën e Kosovës për procedurat e mëtejshme,” tha ai për T7.
Përveç Musliut, të vdekur kanë mbetur edhe Pajtim Bajrami dhe Istref Zekaj.
Ndërkohë, Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe me familjarët e viktimave, me qëllim të ofrimit të mbështetjes së nevojshme dhe koordinimit të procedurave të mëtejshme.
Shërbimet emergjente arritën të shpëtojnë një person, i cili u dërgua në spital me lëndime, ndërsa katër të tjerë u nxorën pa shenja jete.