Rama: Sot Shqipëria është vendi ku askush s’është mbi ligjin, e ardhmja evropiane në tryezë

11:15 | 14 Prill 2026
rama:-sot-shqiperia-eshte-vendi-ku-askush-s’eshte-mbi-ligjin,-e-ardhmja-evropiane-ne-tryeze

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Samitin e Diasporës në Tiranë, tha se Shqipëria është sot vendi ku askush s’është mbi ligjin dhe drejtësia është e pavarur siç nuk ka qenë që prej kohës së pavarësisë në 1912-ën.

Kreu i qeverisë shqiptare po ashtu vuri në dukje se Shqipëria ka hapur të gjithë grup-kapitujt në një kohë rekord dhe sot ka ambicien të përmbyllë negociatat në 2027-ën.

“Sot pandëshkueshmëria është një mit i të kaluarës në Shqipëri dhe sot Shqipëria është vendi ku askush s’është mbi ligjin dhe drejtësia është e pavarur, siç nuk ka qenë qysh në krye të herës, që nga 1912-ta, deri kur ne me vullnet të plotë i dorëzuam shpatën që i takon vetëm duarve të saj, për të bërë drejtësi të barabartë, për të gjithë, pa kursyer askënd. Atëherë Shqipërisë i mbyllej rregullisht dera e negociatave për anëtarësim në BE, sot i kemi çelur të gjithë grup-kapitujt, në një kohë rekord, për vetëm 11 muaj. Njësoj si ju kur ju mbyllej dera në fytyrë në ato hapa të parë në rrugët e botës dhe askush s’kishte kohë, besim, dhe vëmendje, për t’ju dëgjuar dhe kuptuar se sa vlenit, por ju këmbëngulnit, dhe pasi fshihnit lotët nga poshtërimi i ditës, riktheheshit në mëngjes duke qenë në pritje për të qenë gati për derën kur të hapej. Në Samitin e parë, e ardhmja europiane ishte aspirata që mbetej larg, sot është një tryezë ku jemi të ulur bashkërisht, ballë për ballë, me ambicien për të mbyllur negociatat në 2027-ën”, tha Rama, raporton A2CNN.

Ai tha se sot Shqipëria ka dy gjëra që sipas tij s’i ka patur kurrë.

“Sot kemi Shqipërinë e besuar nga bota dhe shqiptarët e botës me besimin te Shqipëria”, deklaroi Rama.

Komento: