Uji në burimin e Drinit të Bardhë rikthehet në normë, lejohet për konsum në disa zona të Pejës

16:20 | 14 Prill 2026
uji-ne-burimin-e-drinit-te-bardhe-rikthehet-ne-norme,-lejohet-per-konsum-ne-disa-zona-te-pejes

Uji në burimin e Drinit të Bardhë në Radavc është rikthyer në parametra normalë dhe tashmë mund të përdoret për pije nga konsumatorët që furnizohen nga ky burim.

Sipas rezultateve laboratorike të pranuara më 14 prill, cilësia e ujit ka përmbushur standardet e kërkuara, duke bërë të mundur rikthimin e tij në përdorim të plotë për konsum.

“Bazuar në rezultatet e sotme laboratorike, konsumatorët që furnizohen nga burimi i Drinit të Bardhë (Radavc) ujin mund ta shfrytëzojnë për pije”, thuhet në njoftimin e KRU Hidrodrinit.

Ky burim furnizon pjesën verilindore të qytetit të Pejës, përfshirë zonën nga Rrokaqielli, si dhe një sërë fshatrash, ndër të cilat Lugu i Leshanit, Lugu i Trestenikut, Jabllanica e Madhe dhe e Vogël, Novosella, Dubova, Baica, Ozdrimi, Banja e Pejës, Vitomirica dhe rajonet I, II dhe III.

Ndërkohë, bëhet e ditur se nga 10 prilli ishte shënuar turbullirë në këtë burim si pasojë e reshjeve dhe rritjes së nivelit të ujit, çka kishte ndikuar përkohësisht në cilësinë e tij. /Telegrafi/

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=1606608634800531&set=a.507830024678403&type=3&ref=embed_post

Komento: