Rritet përdorimi i kokainës në Kosovë, shqetësim i madh për përfshirjen e të miturve

10:45 | 19 Prill 2026
rritet-perdorimi-i-kokaines-ne-kosove,-shqetesim-i-madh-per-perfshirjen-e-te-miturve

Drejtori ekzekutiv i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labyrinth”, Safet Blakaj, ka ngritur shqetësimin për rritjen e përdorimit të kokainës dhe uljen e moshës së përdoruesve në Kosovë, duke theksuar se trendi është në rritje dhe po prek edhe të miturit.

Blakaj në një intervistë ka bërë të ditur se gjatë tre muajve të parë të këtij viti nuk ka pasur ndryshime thelbësore krahasuar me vitin e kaluar, por është vërejtur një rritje e lehtë e numrit të personave që kërkojnë ndihmë.

“Këtë tre mujorësh pra nuk ka pasë ndonjë dallim esencial prej vitit të kalum, por është le të themi se vërehet një tendencë e rritjes së numrit të përdoruesve, së paku numrit të atyre të cilët kërkojnë ndihmë tek ne. Mosha e përdorimit të drogës, tashmë flasim natyrisht marihuanën që është gjithandej e shpërndame në Kosovë, po edhe gjithkah në regjion e kështu me radhë, por kokaina është ajo që na shqetëson shumë. Pra, kemi vërejte tre mujoheshin e parë që ka një rritje të lehtë, shumë të lehtë, por me tendencë të vazhduar, rritja e përdoruesve të kokainës. Edhe këtu duhet me theksu posaçërisht që ende është duke ra mosha e fillimit të përdorimit të kokainës tek më të rinjtë. Kjo është ajo çka muj me thanë për këtë tre mujor. Në mes të tyne ka edhe që kanë fillu e janë nën moshën 18 që quhen të mitur. Kjo po na shqetëson kur flitet për kokainën”, tha ai.

Blakaj theksoi se përdorimi i hershëm shpesh fillon me kanabis, ndërsa kalimi në kokainë po ndodh gjithnjë e më shpejt, me rritje të dozës dhe frekuencës së përdorimit.

“Natyrisht ata që janë shumë, që fillojnë shumë ma herët, janë kryesisht e fillojnë me kanabis, ose marihuanë. Kjo është një problematikë që na shqetëson shumë sepse disa prej tyne, kohët e fundit, janë paraqit edhe nga viset rurale. Dhe kjo na tregon neve çfarë përmase po shkon tu u rrit përdorimi i kokainës. Forma e përdorimit na shqetëson tek kokaina po ashtu sepse, të rinjtë shumë ma shpejt po fillojnë me rrit dozën, dhe përditshmërinë e përdorimit të kokainës. Kjo shkakton shumë shpejt varshmërinë. Dallimi në mes para pesë vjetëve kur kanë qenë moshat 35-45, tash janë 25-35, me tendencë të rënies së moshës së përdorimit të kokainës. Problemin kryesor pra e kemi me kokainë”, tha ai.

Blakaj, paralajmëroi edhe rrezikun nga droga të tjera sintetike, si amfetamina dhe metamfetamina, të cilat sipas tij mund të përhapen për shkak të çmimit më të ulët.

“Natyrisht ne munohemi me përcjell rreziqet për drogat tjera. Edhe ne bazohemi në regjion, po mendojmë që ka problem me disa droga të tjera që janë po ashtu stimulante, pra që ngjasojnë pak me kokainën. Çfarë është amfetamina, edhe metamfetamina. E këto droga kemi shqetësim sepse ato shumë shpejt mund të trokasin në dyert tona. Pse? Sepse ato janë dukshëm më të lira se kokaina. Pra kokaina është gjysëm sintetike. Këto dyja që i përmenda janë komplet laboratorike ose kimike. Edhe kjo është dallimi, përngjasimet janë dukshëm më e lirë. Edhe na po mendojmë që nëse e zëvendëson diçka kokainën, atëherë kanë me qenë njona ose këto të dyjat në Kosovë. Kjo është shqetësimi që mundet me na prit shumë shpejtë”, tha ai.

Blakaj theksoi mungesën e programeve të mirëfillta parandaluese dhe nevojën për ndërhyrje më të madhe institucionale, sidomos tek të rinjtë.

“Na intereson tepër shumë parandalimi. Kjo është që disa vite jemi mundu me qit në pah parandalimin dhe rëndësinë e parandalimit. Natyrisht, në Kosovë ka disa institucione që ofrojnë shërbime për trajtimin e të varurve, ose përdoruesve të drogave. Siç është klinika psikiatrike, sektori privat, Labyrinth-i e kështu me radhë. Kualiteti i shërbimeve natyrisht lë për të dëshiruar. Por, nuk kemi programe parandaluese të mirëfillta. Ose të kemi një program të qartë, të përpiluar, që të zbatohet në gjithë territorin e Kosovës. E dedikuar posaçërisht të rinjve. Nuk po flitet vetëm për shkolla. Për arsye se një numër i madh janë edhe nuk janë pjesë e sistemit arsimor”, tha ai.

Ai solli edhe një të dhënë shqetësuese për një kategori të madhe personash jashtë sistemit arsimor dhe tregut të punës, të cilët sipas tij janë më të rrezikuar.

“Le t’ia themi një të dhënë për shembull, 72 mijë persona, sipas Agjencionit të Statistikave të Kosovës, të moshës 15-55, janë komplet, që nuk punojnë, që nuk janë në sistemet e arsimimit të, edukimit ose rikualifikimit. Nuk kanë asnjë aktivitet tjetër, kështu që janë komplet 24 orë të lirë. Kjo është ajo kategori, mendoj unë, që po na sjell problemet, edhe do të na sjellë edhe më shumë. E duhet me pas parasysh se ky numër duket që është i madh, por për neve në Kosovë është tepër i madh. Praktikat e parandalimit, janë mujn me u përpilu, mundet ndoshta edhe disa prej agjencioneve të Evropës po na ndihmojnë me kuptimin e shtetit. Agjencioni i Drogave të Evropës po shpreh interesim edhe është në një lloj hulumtimi e sipër kështu me hy në një lloj hulumtimi se çka bëjmë ne për parandalimin e drogave. Dhe është tepër me rëndësi sot me nis, me pa efektin mbas pesë viteve”, tha ai.

Në fund, ai theksoi se përkundër disa trajnimeve pilot me psikologë dhe punëtorë socialë, Kosova mbetet e vonuar në ndërhyrjet parandaluese dhe kërkoi mbështetje më të madhe për identifikim të hershëm dhe intervenim tek të rinjtë.

“Ne jemi tu bo diçka, për shembull kemi disa trajnime kemi pasë me psikologë të shkollave, dhe punëtorë socialë. Në fakt kjo ka qenë më tepër si pilot, për arsye se janë vetëm të regjionit të Prishtinës. Në mënyrë që direkt vetë psikologët e shkollave t’i kryejnë disa intervenime që e kanë kapacitetin, këta i kanë pa, para dy jave e kemi kry një trajnim tre ditor dhe e kemi pa që ata kanë disa njohuri, por nuk i kanë njohuritë praktike për drogat. Dhe këto mundemi me i vazhdu trajnimet që ata me qenë në gjendje me bë identifikimin e hershëm, të përdoruesve të drogave nëpër shkolla”, tha ai.

Blakaj theksoi se duhet intervenim i shpejtë.

“Këto gjëra mundemi me i bë, duhet përkrahje që ata direkt me i prek nxënësit që janë të atakuar ose të rrezikuar. Kjo është jashtëzakonisht me rëndësi, nuk mujn me bë nuk e kanë bë as shumë shtete përreth neve, por neve po na intereson jo vetëm me dal me fol nëpër shkolla që është edhe komponentë tjetër, por edhe me i prek ata nxënës që janë predisponu për drogat, ose ata që po, sapo kanë fillu. Këto mujn me i bë pa i qu kërkund, dikund në trajtim. Kjo është njëra prej formave që mundet me u bo në Kosovë. Nëse jemi serioz ne, Labirinti, institucione tjera publike, edhe financimi i këtyre fushatave për parandalim mendoj që jemi të vonuar. Të vonuar, sepse për me vërejt efektin duhet kohë”, tha ai./eo

Komento: