Koalicione apo të vetme në garë? KQZ cakton afatin për partitë politike

10:20 | 03 Maj 2026
koalicione-apo-te-vetme-ne-gare?-kqz-cakton-afatin-per-partite-politike

Të gjitha partitë politike që aktualisht janë të regjistruara në Kosovë, janë obliguar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ta njoftojnë këtë institucion për pjesëmarrje apo mospjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

Partitë politike janë të obliguara që ta njoftojnë KQZ-në në rast se duan të marrin pjesë në këto zgjedhje përmes koalicionit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka shpjeguar për KosovaPress, se njoftimi i pjesëmarrjes apo mospjesëmarrjes në zgjedhje është obligim vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë të regjistruara dhe aktive në Kosovë.

Po ashtu, Elezi tregoi se deri më 7 maj, partitë politike kosovare kanë afat që të njoftojnë KQZ-në në rast se duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit. Ai kujtoi se ligji ka bërë disa rregullime se për të drejtat dhe detyrimet e partive politike kur hyjnë në koalicion.

Në zgjedhjet e rregullta parlamentare të shkurtit të vitit 2025, morën pjesë 28 subjekte politike, prej të cilave 20 parti politike, 5 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

Ndërkaq, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën në fund të dhjetorit, garuan 24 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike 3 koalicione; 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur./KP

Komento: