
Avokatja e 21-vjeçares që ka denoncuar mjekun, Nikolla Nunka në Korçë, ka dalë në një deklaratë para mediave duke zbuluar detaje të reja.
Avokatja Refxhei Tola ka deklaruar se kanë mbërritur denoncime të tjera ndaj mjekut për raste të ngjashme abuzimi seksual, disa prej të cilave datojnë deri 33 vite më parë, ndërsa rasti më i fundit është raportuar një vit më parë, raporton Euronews.al.
Sipas saj, bëhet fjalë për një rast të përsëritur, çka e rëndon edhe më shumë situatën dhe ngre pikëpyetje mbi faktin se si mjeku ka vijuar të ushtrojë profesionin për kaq vite në sistemin spitalor, duke ofruar shërbime për vajza dhe djem.
Tola falënderoi 21-vjeçaren që denoncoi rastin, duke e cilësuar guximin e saj si një hap të rëndësishëm për të nxjerrë në dritë ngjarje të tilla. Ajo i bëri thirrje drejtësisë që të reagojë dhe të marrë masa ndaj rasteve të abuzimeve seksuale.
Sipas saj, ka indicie se mjeku ka ndjekur të njëjtën praktikë pune me vajzat që i janë drejtuar për vizita, ndërsa theksoi se institucioni spitalor nuk ka marrë masa administrative edhe pse, sipas saj, ka pasur sinjale të vazhdueshme për sjelljen e tij.
Tola shtoi se pala mbrojtëse ende nuk është njohur me dosjen hetimore, pasi, sipas saj, prokuroria nuk ua ka vënë në dispozicion materialet e çështjes, ndërsa apeloi që të gjitha gratë dhe vajzat që pretendojnë se janë abuzuar të denoncojnë rastet e tyre.
“Arsyeja e kësaj deklarate është se kemi marrë shumë denoncime të tjera që janë edhe të 33 viteve më parë dhe e fundit 1 vit më parë, të njëjtat raste abuzimi që janë bërë nga ana e doktorit me gra të tjera. Ky është një rast i përsëritur që e bën edhe më të rëndë situatën, se si ka mundur të integrohet dhe të qëndrojë kaq gjatë një mjek në sistemin spitalor dhe të japë shërbim për vajza dhe djem. I jam falënderuese vajzës që mori guximin të flasë pasi ngjarje të tilla duhet të fliten”.
“Mendoj që është koha e duhur që drejtësia e re të reagojë, dhe të japë shembullin se këta maniakë, pedofilë nuk duhet të shkelin më mbi gjakun e fëmijëve tanë. Jemi të gatshëm të asistojmë të gjitha denoncimet e tjera që do të vijnë, ndaj ju bëj thirrje grave dhe vajzave të denoncojnë, ne do ti asistojmë dhe do të garantojmë anonimatin. Këto janë fenomene që ndodhin rëndom në Shqipëri dhe nuk marrin masat ndëshkimore të caktuara sipas legjislacionit, por përfundojnë duke ja hedhur me një arrest shtëpie”, tha ajo.