Kryenegociatori Agron Bajrami pas takimit me Sorensenin: Përparimi në dialog me Serbinë do të varet shumë a e dorëzojnë Radojçiqin

17:45 | 13 Maj 2026
kryenegociatori-agron-bajrami-pas-takimit-me-sorensenin:-perparimi-ne-dialog-me-serbine-do-te-varet-shume-a-e-dorezojne-radojciqin

Dialogu Kosovë – Serbi po vijon, për çka sot ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, njoftoi të ketë zhvilluar takime me palët për të përcaktuar plan “për muajt e ardhshëm.”

Ndërkohë kryenegociatori i palës kosovare, Agron Bajrami, foli për Nenin 4 dhe Nenin 2 si obligime që duhet Serbia t’i zbatojë.

Më tej, sipas komunikatës së dhënë në MPJD, thuhe se progresi në dialog “do të varet shumë” nëse Serbia e dorëzon Millan Radojçiqin për t’u përballur me drejtësi në Kosovë.

Postimi i plotë:

Kryenegociatori i Republikës së Kosovës në dialogun teknik për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ambasadori Agron Bajrami, është takuar sot me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për këtë proces, z. Peter Sorensen.

Në takim u shkëmbyen mendime lidhur me hapat e ardhshëm në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe me hapat konkretë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.

Kryenegociatori Bajrami theksoi se Republika e Kosovës është e vendosur në qëndrimin e saj se procesi i dialogut duhet të përmbyllet sa më shpejt që të jetë e mundur, përmes njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, për t’i hapur rrugën integrimit të plotë të Kosovës dhe të gjithë rajonit në Bashkimin Evropian.

Ai po ashtu theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në këtë proces, duke kërkuar që të shtohen presionet ndaj palës tjetër për të përmbushur obligimet që ka marrë gjatë viteve në dialog. Këto obligime përfshijnë integrimin e Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, NATO dhe OKB.

Sa i përket hapave të ardhshëm, Kryenegociatori Bajrami theksoi se Kosova insiston në zbatimin e plotë dhe jo-selektiv të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit, që përfshin obligimin e Serbisë për të respektuar integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe sovranitetin e institucioneve të saj në të gjithë territorin e Kosovës.

Progresi i mëtejshëm në proces do të varet shumë edhe nga llogaridhënia për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, që përfshin dorëzimin e udhëheqësit të këtij sulmi, Milan Radojiqit, dhe grupit të tij, për t’u përballur me drejtësinë në Kosovë, ka thënë ambasadori Bajrami.

Komento: