Murati e cilëson “sukses” kategorizimin e Kosovës në vendin e dytë për kah varfëria: Në qeverisjet e kaluara ishim të fundit

12:30 | 18 Maj 2026
murati-e-cileson-“sukses”-kategorizimin-e-kosoves-ne-vendin-e-dyte-per-kah-varferia:-ne-qeverisjet-e-kaluara-ishim-te-fundit

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, e ka quajtur sukses kategorizimin e Kosovës si vendi i dytë më i varfër në Evropë, sipas platformës WorldAtlas, e cila mbledh të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Murati në një deklaratë për media ka thënë se në qeverisjet e kaluara Kosova ishte e fundit, duke shtuar se tashmë vendi ka shënuar ngritje.

“Kosova ka qenë e fundit kur ne kemi marrë qeverisjen dhe tash kemi ngritje më lartë në atë tabelën e rangimit. Në fakt nëse shihet viteve të kaluara, pra deri në vitin 2019 diferenca e Kosovës me vendet e tjera ka shku duke u rrit, pra vendet tjera i kanë ik Kosovës, kurse tash lëre që e kemi ngushtu diferencën por edhe e kemi kalu një shtet dhe presim që shumë shpejtë ky trend të vazhdojë dhe nëse vazhdon ky trend dhe qeverisja e mirë t’i kalojmë edhe shtetet e tjera”, ka deklaruar Murati.

“FMN-ja aty ka raportuar të ardhurat për kokë banori të bazuar në fuqinë blerëse. Unë nuk po bëj vlerësime, unë vetëm e thash që nëse shikohet trendi, pyetja do të mund të ishte shtruar pak më ndryshe sepse trendi tregon që Kosova ka përparim në raport me shtetet e tjera, pra kemi qenë në vendin e fundit gjatë qeverisjeve të kaluara, tash po kemi kaluar Moldavinë dhe presim t’i kalojmë edhe shtetet tjera nëse vazhdohet ky trend”, shtoi më tej ai.

Komento: