Studentët nga Kosova i bashkohen protestës në Shkup,Krasniqi: Të respektohet Gjuha shqipe, thirrja e vetme

19:10 | 18 Maj 2026
studentet-nga-kosova-i-bashkohen-protestes-ne-shkup,krasniqi:-te-respektohet-gjuha-shqipe,-thirrja-e-vetme

Studenti i Universitetit të Prishtinës, Ismet Krasniqi, i cili mori pjesë në protestën e mbajtur në Shkup lidhur me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës, në lidhje direkte për emisionin “Gazeta” të Kanal10 tha se protesta po përfundon qetësisht dhe pjesëmarrësit po shpërndahen pa incidente.

“Ne tashmë jemi në përfundim të protestës dhe qytetarët po shpërndahen të qetë. Ne si studentë nga Kosova e kemi parë obligim t’i mbështesim kërkesat e tyre. Ishte një protestë paqësore me një thirrje të vetme: që gjuha shqipe të jetë prezente dhe të respektohet sipas ligjit edhe në Maqedoninë e Veriut”, deklaroi Krasniqi.

Ai tha se numri i pjesëmarrësve duket të ketë qenë më i madh se në protestën e kaluar.

“Besoj se ka pasur më shumë pjesëmarrës se herën e kaluar, por nuk mund ta di numrin e saktë. Tashmë po shpërndahemi të qetë”, u shpreh ai.

Duke folur për kalimin kufitar, Krasniqi tha se nuk kanë hasur në pengesa serioze.

“Në kufi, dallimi i vetëm nga herët e tjera ishte se duhej të zbrisnim dhe dokumentet t’i dorëzonim personalisht, por si grup studentësh nga Kosova nuk kemi pasur ndalesa apo kontrolle të rrepta”, tha ai.

Sipas tij, kërkesa kryesore e protestuesve ishte respektimi i ligjit për gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Ai shtoi se organizatorët gjatë gjithë kohës kanë theksuar se protesta ishte apartiake dhe nuk kishte lidhje me parti politike.

Komento: