KQZ miraton adresat e kutive postare për votimin e diasporës në 22 shtete

14:20 | 19 Maj 2026
kqz-miraton-adresat-e-kutive-postare-per-votimin-e-diaspores-ne-22-shtete

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme ka miratuar adresat e kutive postare për votimin me postë nga jashtë Kosovës, proces i cili do të zhvillohet nga 25 maji deri më 6 qershor.

Anëtari i KQZ-së dhe kryesuesi i Këshillit për Operacione Zgjedhore, Alban Krasniqi, tha se adresat e kutive postare mbesin pothuajse të njëjta me ato të zgjedhjeve të kaluara.

“Departamenti përkatës i ka sjellur adresat të cilat janë të njëjta të kutive postare si në të kaluarën, vetëm në dy vende janë ndryshuar”, tha ai.

Sipas KQZ-së, me qëllim të ofrimit të mundësisë për votim për shtetasit që janë regjistruar për të votuar përmes postës, kutitë postare janë funksionale në 22 shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

Po ashtu, funksionale do të jetë edhe kutia postare e përhershme e KQZ-së në Kosovë.

Në mbledhjen e sotme, KQZ-ja ka miratuar edhe Planin operacional të sigurisë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

Gjithashtu, është miratuar edhe dizajni dhe përmbajtja e fletëvotimit dhe broshurës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Në fillim të mbledhjes, u prezantua një raport nga përfundimi i dy periudhave të ndryshme për votuesit: ndërrimi i qendrës së votimit brenda komunës (6 maj – 17 maj 2026) dhe regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës (6 maj – 17 maj 2026). Në mbledhje u bë e ditur se KQZ ka pranuar 11,840 kërkesa për ndërrim të qendrës së votimit brenda komunës, prej të cilave janë aprovuar 11,276 dhe janë refuzuar 564 të tjera. Ndërsa, për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës u bë e ditur se KQZ ka pranuar 142,803 kërkesa për regjistrim dhe pas shqyrtimit të tyre janë aprovuar 131,800, ndërsa 10,907 të tjera janë refuzuar dhe 96 janë anuluar.

Komento: