
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka reaguar lidhur me deklaratat e ish-deputetit Milaim Zeka ndaj gjyqtares së Gjykatës Themelore në Prishtinë Edita Çanta, duke thënë se i dënon fuqishëm gjuhën linçuese dhe denigruese të përdorur ndaj gjyqtares.
Ky reagim i KGJK-së, vije pas deklaratave të ish-deputetit Milaim Zeka, i cili përmes një postimi në rrjetin social në Facebook pas shpalljes së aktgjykimit ndaj tij, e akuzoi gjyqtaren e rastit se vendimin e mori “vetëm për t’i plotësuar orekset politike” të kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.
Sipas Zekës vendimi ndaj tij ishte marrë pa asnjë provë e argument.
“Pse po ikin njerëzit nga ky vend? Sepse ka përdhunues të drejtësisë, sikurse është Edita Çanta, e cila më ka dënuar përmes urdhërave politik, ta marrura përmes telefonave. Haram i qoftë mundi im gjatë gjithë jetës që kam dhanë për këtë vend, që njerëzit e tillë me nda drejtësi, e jo shtrembësi”- kishte shkruar Zeka.
Sipas KGJK-së, deklaratat e Zekës pas vendimit të Gjykatës, përbëjnë sulm të drejtpërdrejtë ndaj integritetit personal dhe profesional të gjyqtares së rastit.
“Deklaratat e publikuara nga z. Zeka, pas vendimit të marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë lidhur me rastin e tij, përbëjnë sulm të drejtpërdrejtë ndaj integritetit personal dhe profesional të gjyqtares së rastit, përmes një gjuhe fyese, degraduese dhe të papranueshme, e cila tejkalon çdo kufi të komunikimit publik dhe demokratik.”- thuhet në reagimin e KGjK-së.
Në reagimin e tyre KGjK ka thënë se sulmet e tilla nuk janë vetëm fyerje individuale ndaj një gjyqtareje, por përbëjnë përpjekje të papranueshme për linçim publik, dhe ushtrim presioni ndaj bartësve të funksionit gjyqësor, me qëllim cenimin e pavarësisë së tyre në ushtrimin e detyrës.
“KGjK shpreh mbështetjen e plotë dhe të palëkundur për gjyqtarët e Republikës së Kosovës, në ushtrimin e detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale, të lirë nga çdo formë presioni, kërcënimi apo linçimi publik.”- thuhet më tej në reagim.
KGjK në këtë reagim, ju ka bërë thirrje organeve kompetente që të trajtojnë me seriozitet maksimal këtë rast, të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe të garantojnë mbrojtjen dhe sigurinë e gjyqtarëve.
Sipas KGjK-së, çdo sulm ndaj një gjyqtari është sulm ndaj drejtësisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Gjykata e Prishtinës më 20.05.2026 shpalli aktgjykim dënues për Milaim Zekën, për veprën penale të shmangies nga tatimi (pika e pestë e aktakuzës).
Milaim Zeka më 20.05.2026 u dënua me një vit burg, për shmangie tatimore, vendim ky i cili nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër penale për 2 vite periudhë verifikuese. Po ashtu, Zeka u dënua me gjobë në shumën 3 mijë euro.
Gjykata e ka obliguar të pandehurin Milaim Zeka që Administratës Tatimore të Kosovës t’ia kompensojë 81 mijë euro në emër të kompensimit të dëmit.
Kurse për të akuzuarin, Ilir Krasniqi dhe Milaim Zekën (për pikën 2 të aktakuzës) Gjykata mori aktgjykim refuzues pasi Prokuroria në fjalën përfundimtare ishte tërhequr nga akuza për këtë pikë.
Vendimi është marrë nga gjyqtarja e vetme gjykuese, Edita Çanta.
Pas shpalljes së këtij aktgjykimi, Gjykata mori aktvendim për korrigjim të aktgjykimit burimor.
Në këtë aktvendim bëhet e ditur se është bërë një lëshim teknik dhe se sipas këtij aktvendimi, Zeka 81 mijë euro, t’i paguajë shumën prej 67,609.71 euro.
Ndërkaq pjesa tjetër e aktgjykimit burimor mbetet e pandryshuar.
Në aktvendim thuhet se, kundër këtij aktvendimi nuk është e lejuar ankesë e posaçme.
“Me rastin e shpalljes se aktgiykimit burimor është bërë një gabim teknik te prezicizimi i kompensimit të dëmit i cili është i përcaktuar me rikualifikimin faktik të veprës penale Shmangia nga tatimi nga neni 313 par.3 lidhur me par.l te KPRK-së nga prokurori i shtetit dhe me ekspertizën financiare, gjegjësisht tek shuma e kompensimit të dëmit në vlerë prej 81,000.00 euro, e që në fakt numri duhet të jetë shuma prej 67,609.71 euro, ndërsa pjesa tjeter e aktgjykimit burimor mbetet e pandryshuar.”-thuhet në aktvendim
Rasti i shmangies tatimore është pjesë e aktakuzës në të cilën Zeka, Krasniqi dhe Edmond Kërliu akuzoheshin lidhur me rastin e vizave të punës, gjykim për të cilin ishin liruar nga akuzat, por që Gjykata e Apelit kishte kthyer vetëm akuzën për shmangie tatimore për t’u gjykuar përsëri.
Rigjykimi ndaj Zekës dhe Krasniqit nuk do të bëhet për akuzat e mashtrimit me viza, por për veprën penale të shmangies tatimore.
Kjo pas vendimit të Apelit të 30 dhjetorit 2023 me të cilin e ka vërtetuar pjesërisht vendimin lirues të Gjykatës Themelore të prillit 2022.
Më 26 prill 2022, Gjykata Themelore kishte marrë vendim që Milaim Zekën, Ilir Krasniqin dhe Edmond Kërliun t’i lirojë tërësisht nga të gjitha pikat e aktakuzës.
Zeka, Krasniqi dhe Kërliu akuzoheshin për veprat penale mashtrim, pastrim parash (për të cilat ishin liruar nga akuzat), kurse për shmangie tatimore Zeka e Krasniqi janë duke e vazhduar gjykimin.