
Banorë të Rugovës dhe përfaqësues të bizneseve lokale protestuan të premten para Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, duke kundërshtuar vendimin për pezullimin e mallrave dhe shërbimeve ndërtimore në këtë zonë.
Protestuesit kërkuan anulimin e menjëhershëm të vendimit, duke thënë se ai po dëmton ekonominë lokale dhe jetën e banorëve të Rugovës. Gjatë protestës pati tensione verbale mes qytetarëve dhe ministres në detyrë të Mjedisit, Fitore Pacolli, e cila doli për të biseduar me ta.
Njëri nga protestuesit iu drejtua ashpër ministres duke thënë se askush nuk mund ta mbrojë tokën e Rugovës më shumë sesa vetë banorët e saj.
Përfaqësuesit e protestuesve deklaruan se janë të gatshëm për dialog me institucionet, por vetëm pasi të tërhiqet vendimi për pezullimin e aktiviteteve ndërtimore.
Protesta u organizua nën moton: “Rugova nuk hesht – Rugova kërkon drejtësi!”.