
Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy të dyshuarve me inicialet U.Z. dhe K.K., të cilët ndodhen në ndalim 48-orësh, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare në bashkëkryerje.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit, në cilësinë e zyrtarëve bankarë, dyshohet se kanë tejkaluar autorizimet e tyre me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, duke i shkaktuar dëm material një qytetareje nga Prizreni.
“Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të pandehurve U.Z., dhe K.K., të cilët gjenden në ndalim 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 414 par. 2-1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Sipas komunikatës, i dyshuari U.Z., në cilësinë e menaxherit të bankës, pas aprovimit të një kredie nuk e kishte njoftuar palën e dëmtuar dhe kishte liruar mjete financiare nga llogaria e saj pa dijeninë e saj, ndërsa K.K., si analist kredie, dyshohet se kishte kryer transferimin e mjeteve në llogaritë e dy bizneseve.
“I pandehuri U.Z., në cilësinë e menaxherit të bankës, pas aprovimit të kredisë nuk e ka njoftuar të dëmtuarën dhe ka liruar mjete financiare në shumë prej 24,000 euro nga llogaria e saj pa dijeninë e saj, ndërsa i pandehuri K.K., në cilësinë e analistit të kredisë, ka ekzekutuar transferin e mjeteve në llogaritë e dy bizneseve nga 12,000 euro për secilin”, thuhet më tej.
Prokuroria ka bërë të ditur se përmes këtyre veprimeve, të dëmtuarës i ishte ngarkuar një kredi fiktive në vlerë prej 25 mijë eurosh dhe procedurë përmbarimore.
“Me këto veprime, të pandehurit e lartëcekur, të dëmtuarën e kanë ngarkuar me kredi fiktive në vlerë prej 25,000 euro dhe procedurë përmbarimore, duke i shkaktuar dëm material në të njëjtën shumë”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, autoritetet kanë kryer bastisje në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarve, ku janë sekuestruar prova materiale dhe digjitale që lidhen me hetimet.
“Lidhur me rastin, janë kryer bastisje në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarve, me ç’rast janë sekuestruar prova materiale dhe digjitale, të rëndësishme për zhvillimin e procedurës hetimore”, njofton Prokuroria.