
Ramush Haradinaj ka kujtuar një nga momentet më të rënda politike dhe emocionale të pasluftës në Kosovë, duke treguar se si ish-presidenti Ibrahim Rugova e përjetoi aktakuzën që Tribunali i Hagës ia dërgoi Haradinajt.
Sipas Haradinajt, Rugova nuk pranonte askënd në takim pasi kishte marrë lajmin për aktakuzën. Ai tha se presidenti ishte i rënduar emocionalisht dhe se kur shkoi ta takonte në zyrë, e kishte gjetur duke qarë.
“Kishin ardhur në zyrë dhe kishin folur me të plotësisht, por ai nuk kishte pranuar askënd. Kur shkova dhe e pashë në zyrë, ishte duke qarë”, kujtoi Haradinaj, në “Debat Plus”.
Ai theksoi se aktakuza kishte shkaktuar një tronditje të madhe jo vetëm te Rugova, por në gjithë shoqërinë shqiptare të asaj kohe. Sipas tij, reagimi ishte i menjëhershëm dhe i gjerë, duke përfshirë spektrin politik, intelektualët, artistët dhe sportistët.
“Edhe në Aleancë, edhe në LDK, por edhe te UÇK-ja, kishte mobilizim shoqëror. Ishte një tronditje shumë e madhe edhe për mua, edhe për presidentin. Ai nuk e tejkaloi asnjëherë atë”, deklaroi Haradinaj.