
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama publikoi sot një tjetër analizë që siç tha ai, dëshmon se pjesa e zërit të opozitës në medie arrin në 68,2%, ndërsa dukshmëria e qeverisë qëndron në 31,8%.
Rama përmes një postimi në rrjetet sociale ka thënë se këtë herë periudha e monitorimit është më e zgjeruar dhe arrin në 120 ditë dhe mbulon 106,962 artikuj në 47 media të monitoruara.
Me këtë rast, duke iu drejtuar “Reporterëve pa kufij” Rama solli në vëmendje analizën e bërë nga një start up shqiptar i bazuar në inteligjencën artificiale.
E, sipas tij, dukshmëria e opozitës mbetet më e lartë se vetë dukshmëria e qeverisë.
“Vështirë se ky është profili i një vendi ku kritika heshtet, zërat e opozitës margjinalizohen, apo pluralizmi mediatik është thjesht dekorativ. Përsëri, në një mjedis mediatik vërtet ‘të kapur’, asgjë nga këto nuk do të ekzistonte. Jo një peizazh ku dukshmëria e opozitës dominon edhe në media gjoja proqeveritare. Jo kritika që e tejkalon mbulimin pozitiv të qeverisë me pothuajse pesë herë. Jo zëra opozitarë që mbizotërojnë vazhdimisht në kategoritë e mediave kritike, të balancuara dhe proqeveritare njësoj”, u shpreh Rama.