
Gjatë vizitës së tij në Ohër, kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, kritikoi planin e propozuar së fundmi nga kancelari gjerman Friedrich Merz për dhënien e statusit të vëzhguesit shteteve të Ballkanit dhe statusin e anëtarit të asociuar për Ukrainën në BE.
Plenkoviq tha se nuk duhet të ketë rrugë të shkurtra për disa shtete kandidate për anëtarësim dhe as ngadalësi për të tjerët.
“Nëse do të heqim dorë nga koncepti i meritës individuale, nëse do të ndjekim disa rrugë të shkurtra ose do t’i transformojmë perspektivat e anëtarësimit, në këtë rast kryesisht për Ukrainën, në diçka më shumë si statusi i vendeve që përfunduan Marrëveshjen Ekonomike Evropiane, por prapë me pjesëmarrje të shtuar institucionale, atëherë duhet të shohim se si zbatohet për të gjithë”, tha kryeministri i Kroacisë, raporton KlanTV.
Plenkoviq krahasoi ndikimin e Ukrainës dhe shteteve ballkanike në anëtarësimin e mundshëm në BE.
“Ekziston një ndryshim i madh në kapacitetin absorbues të Ukrainës krahasuar me të gjitha shtetet e tjera kandidate që janë më të vogla për sa i përket popullsisë dhe më pak kërkuese për sa i përket ndikimit të tyre në implikimet buxhetore të BE-së dhe në politikat kryesore sektoriale, siç janë bujqësia ose zhvillimi rajonal. Kjo është arsyeja pse po kërkohet një zgjidhje specifike dhe ne do ta diskutojmë këtë, besoj, së pari në Mal të Zi javën e ardhshme dhe më pas në takimin e rregullt të Këshillit Evropian në mesin e muajit qershorit në Bruksel”, shtoi Plenkoviq.
Në një letër drejtuar udhëheqësve të BE-së, kancelari Merz ka shpjeguar faktin se idetë e tij inovative nuk zëvendësojnë anëtarësimin e plotë të shteteve kandidate.