Hoti kritikon Kurtin për projektet energjetike: Anulimi i tyre ka qenë veprim anti-shtetëror dhe anti-amerikan

16:40 | 31 Maj 2026
hoti-kritikon-kurtin-per-projektet-energjetike:-anulimi-i-tyre-ka-qene-veprim-anti-shteteror-dhe-anti-amerikan

Ish-deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me projektet energjetike “Kosova e Re” dhe centrali me gaz, duke i cilësuar ato si ndër projektet më strategjike për të ardhmen e Kosovës.

Sipas Hotit, të dy projektet kanë pasur mbështetjen e Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kanë pasur rëndësi të veçantë ekonomike dhe politike për vendin.

“Dy projektet madhore energjetike, ‘Kosova e Re’ dhe ‘Centrali i gazit’, mbesin padyshim projektet më strategjike të Kosovës sot dhe për dekadat në vijim”, ka shkruar ai.

Hoti theksoi se projekti “Kosova e Re” ishte kontraktuar me një kompani amerikane, ndërsa centrali me gaz ishte pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit.

“Të dy projektet kanë qenë të mbështetura nga aleati strategjik i Kosovës: Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

Ish-kryeministri kritikoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për anulimin e këtyre projekteve.

“Sot, secili e ka të qartë se anulimi i këtyre projekteve strategjike nga Kurti, mbështetur nga individë të shumtë në politikë dhe në shoqërinë civile, ka qenë veprim anti-shtetëror dhe anti-amerikan”, u shpreh Hoti.

Ai pretendoi se kundërshtimet ndaj projekteve ishin të pabazuara dhe se argumentet për ndotjen e mjedisit janë përdorur për të mashtruar opinionin publik.

“Fushata mashtruese për gjoja ndotje të ambientit … ka qenë maskim i Kurtit dhe i mbështetësve të tij për mashtrimin e publikut”, ka deklaruar ai.

Hoti kërkoi që qeveria e ardhshme t’i rikthehet zbatimit të këtyre projekteve, duke argumentuar se ato do ta forconin pavarësinë energjetike të vendit.

“Qeveria e ardhshme duhet urgjentisht t’u kthehet zbatimit të këtyre projekteve. Kosova mund dhe do të bëhet neto eksportues i energjisë”, shkroi ai.

Në fund, Hoti tha se Kosova mund të mbështetet në partneritetin me SHBA-në edhe në sektorin energjetik.

“Kosova mund t’i lejojë vetes të ketë varësi energjetike vetëm nga SHBA përmes projektit të gazit amerikan”, përfundoi ai.

Komento: