
Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të garantuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe integritetin e procesit zgjedhor në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor.
Përmes një njoftimi, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se në kuadër të angazhimeve për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, janë mobilizuar mbi 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të jenë në kujdestari në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës deri në përfundimin e procesit të votimit.
Sipas njoftimit, qëllimi i këtij angazhimi është identifikimi dhe procedimi i çdo parregullsie apo shkeljeje të mundshme që mund të ndodhë gjatë procesit zgjedhor.
“Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”, thuhet në njoftim.