Votimi jashtë Kosovës nis sot në 30 përfaqësi diplomatike

08:10 | 06 Qershor 2026
votimi-jashte-kosoves-nis-sot-ne-30-perfaqesi-diplomatike

Sot do të mbahet votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës për zgjedhjet që do të zhvillohen të dielën.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se të gjitha qendrat e votimit në ambasada dhe konsullata do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00, sipas kohës lokale të shtetit ku ndodhen.

Sipas KQZ-së, të drejtën e votës në përfaqësitë diplomatike do ta kenë vetëm 27.724 qytetarë që janë regjistruar paraprakisht për këtë formë votimi.

Emrat e tyre janë të përfshirë në listën votuese të hartuar gjatë periudhës së regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, nga 6 deri më 17 maj 2026.

“Vetëm 27,724 votuesit e regjistruar në 30 përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë më 6 qershor 2026, pasi në listën votuese, e cila do të përdoret në këto përfaqësi diplomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit (6 maj – 17 maj 2026). Procesi i votimit do të zhvillohet në 47 vendvotime që u përkasin 17 ambasadave dhe 13 konsullatave të Republikës së Kosovës, të cilat janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme”, thotë KQZ.

Komento: