
Ka dalë një zhvillim i ri në ndjekjen rekord të Real Madridit për një nënshkrim misterioz “Galactico”, për të cilin presidenti Florentino Pérezi ka lënë të kuptohet më herët.
Pérezi po përballet me sfidë nga Enrique Riquelme në zgjedhjet presidenciale të së dielës – ku ky i fundit ka premtuar se do të sjellë në klub dyshen e Manchester Cityt, Erling Haalandin dhe Rodrin, si dhe do të emërojë Jürgen Kloppin si trajner të ardhshëm të “Los Blancos”.
Por Pérezi, i cili ka pasur dy periudha si drejtues i Real Madridit, ka bërë gjithashtu një premtim të madh nëse vazhdon në postin e tij.
Përveç gatishmërisë për të rikthyer José Mourinho për herë të dytë, Pérezi u shfaq në emisionin spanjoll “Horizonte” të enjten dhe tha se do të “bëjë një ofertë për një klub të rëndësishëm të Ligës së Kampionëve, për një lojtar të madh”.
Ai tha se transferimi do të jetë të paktën 150 milionë euro, gjë që do ta bënte një rekord për kampionët e Europës me 15 tituj.
U përjashtuan Haalandi, shoku i tij te City Jérémy Doku, Harry Kane dhe Michael Olise – edhe pse më vonë u shfaqën lidhje me yllin e Bayern Munichut.
“Është i sigurt që nuk është Olise, është një lojtar i madh, por nuk është Olise,” tha ai.
“Nuk është Doku, nuk është Haaland. Nuk është Kane. Është një lojtar që luan në mesfushë ose më përpara. Dhe nuk është lojtar i Premierligës. Është një ‘Galactico’ i vërtetë. Por fillimisht do të flasim me klubin e tij”, shtoi ai.
Dyshja fituese e Championsit nga Paris Saint-Germaini, Vitinha dhe João Neves, u përmendën nga “Marca”, por në një kthesë të re është raportuar se një nga shokët e tyre të ekipit është lojtari në fjalë.
Duke cituar burime pranë Real Madridit, Graeme Bailey nga “TEAMTalk” thotë se brenda klubit besohet se lojtari për të cilin flet Pérezi është Khvicha Kvaratskhelia.
Gjeorgjiani sapo ka ndihmuar Paris Saint-Germaini të fitojë Championsin për të dytin vit radhazi, por thuhet se Real Madridi beson se mund ta bindë atë këtë verë.
Raportohet se kanë nisur bisedimet për të tentuar transferimin e Kvaratskhelias, për të cilin Real beson se do të ishte i gatshëm të bashkohej me ta.
Paris Saint-Germaini e bleu Kvaratskhelian nga Napoli për rreth 69.1 milionë paund, por Real Madridi ka të ngjarë të duhet të paguajë dyfishin e kësaj shume.
Megjithatë, kampionët e Europës nuk dëshirojnë ta shesin një nga asetet e tyre kryesore dhe nuk kanë nevojë për paratë.
Te Real Madridi, ardhja e mundshme e Kvaratskhelias do të shtonte spekulimet rreth të ardhmes së Vinícius Júnior, pasi ai luan në të njëjtin pozicion në krahun e majtë.
Braziliani ende nuk ka arritur marrëveshje për kontratë të re me klubin, ndërsa kontrata e tij aktuale skadon në vitin 2027 dhe klubi rrezikon ta humbasë pa pagesë.
Real Madridi tashmë ka qenë aktiv në merkato, duke marrë mbrojtësin e Liverpoolit Ibrahima Konatén me parametra zero dhe duke paguar klauzolën prej 17 milionë paund për mbrojtësin e djathtë të Interit, Denzel Dumfriesin./GazetaExpress