
Gjykata Kushtetuese e ka shpallur kushtetues një vendim të Qeverisë së Kosovës të vitit 2024 për t’ia dhënë disa parcela të Komunës së Graçanicës në shfrytëzim shoqatës “Jetimat e Ballkanit” për ndërtimin e qendrës rezidenciale për autizëm, sindromë down dhe aftësi të kufizuar për fëmijë, persona të rritur dhe të moshës së shtyrë.
Kushtetuesja tha se vendimi i Qeverisë ishte në pajtueshmëri me Kushtetutën e vendit dhe se “interesi publik për ndërtimin e objektit në fjalë është i qartë dhe i pakontestueshëm, aq më tepër kur ky projekt është në dobi të të gjitha palëve të përfshira, përfshirë edhe vetë parashtruesin e kërkesës, përkatësisht Komunën e Graçanicës”.
“Gjykata ritheksoi se autonomia lokale, ndonëse e garantuar me Kushtetutë, nuk është absolute, por ushtrohet në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe se kompetencat e komunave lidhur me menaxhimin e pronës publike duhet të lexohen në harmoni me përgjegjësitë kushtetuese të pushtetit qendror për realizimin e interesit publik”, thuhet ndër tjerash në arsyetimin e aktgjykimit të Kushtetueses.
Komuna e Graçanicës kishte kontestuar një vendim të Qeverisë që përcaktonte ndërtimin e kompleksit “Qendra Rezidenciale e Kosovës për autizëm, sindromë daun dhe aftësi të kufizuar për fëmijë, persona të rritur dhe të moshës së shtyrë”, në disa pjesë të ngastrave kadastrale që ishin në pronësi të Komunës së banuar me shumicë serbe. Vendimi i Qeverisë parashikonte që disa pjesë të ngastrave kadastrale në pronësi të parashtruesit të kërkesës të kalonin në pronësi të Republikës së Kosovës dhe t’i jepeshin në shfrytëzim shoqatës “Jetimat e Ballkanit” në periudhë prej 99 vitesh.
Në ankesën e bërë në Kushtetuese, Komuna e Graçanicës pretendonte se Qeveria nuk duhej ta nxirrte njëanshëm këtë vendim, dhe se ai binte ndesh me Kushtetutën, duke cenuar kompetencat vetanake të komunës.
Gjykata Kushtetuese thotë se “komunat kanë kompetenca të plota, por që nuk janë absolute, sepse mund të kufizohen me ligj”.
“Në dritën e të lartcekurave, Gjykata theksoi se Ligji për Vetëqeverisjen Lokale përbën bazë të rëndësishme mbi të cilën Gjykata duhet të vlerësojë llojet dhe natyrën e kompetencave që hyjnë në kategorinë e kompetencave “vetanake” të komunave, në kuptim të paragrafit 3 të nenit 124 të Kushtetutës. Gjykata po ashtu sqaroi se në rastin konkret, Ligji për Pronën Publike është po ashtu ligj që rregullon aspekte të administrimit dhe menaxhimit të pronës nga pushteti lokal dhe pushteti qendror”, thuhet në vendim.
“Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata theksoi se paragrafët 1, 3 dhe 5 të nenit 5 (Parimet e administrimit me pronën publike) të Ligjit nr. 08/L-125 për Pronën Publike (Ligji për Pronën Publike) përcaktojnë se prona publike duhet të administrohet bazuar në kriteret e ligjshmërisë, publicitetit dhe interesit publik. Në vijim, Aktgjykimi sqaron se neni 16 i Ligjit për Pronën Publike përcakton se (i) prona publike administrohet në mënyrë ekonomike për qëllime të interesit publik; (ii) vë obligim ligjor ndaj pushtetit lokal dhe pushtetit qendror që të bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë veprimtarinë e tyre në të mirë dhe me qëllim të realizimit të interesit publik; si dhe (iii) pushteti lokal, për qëllime të interesit publik, obligohet që pronën e nevojshme për realizimin e një interesi publik të Kosovës t’ia bartë shtetit të Kosovës, pa kompensim. Në këtë kuptim, Gjykata vuri në dukje se paragrafi 1 i nenit 16 të Ligjit për Pronën Publike qartësisht i jep përparësi interesit publik kundrejt interesave të parashtruesit të kërkesës, aq më tepër, kur ndërtimi i Qendrës Rezidenciale përfshin interesin e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, përfshirë këtu edhe interesin e të gjithë qytetarëve të Komunës së Graçanicës dhe vetë institucioneve komunale të kësaj njësie lokale”, thuhet tutje në vendimin e Kushtetueses.
Gjykata thotë se “kuadri ligjor i Republikës së Kosovës është i qartë dhe shprehimisht i jep përparësi interesit publik në rastet e bartjes së pronësisë së pronës publike”.
“Ky kuadër ligjor po ashtu është i qartë se, prona publike duhet të administrohet në pajtim me kriteret e ligjshmërisë dhe publicitetit në shërbim të interesit publik. Megjithatë, kriteret në fjalë duhet të zbatohen përmes procedurave transparente të cilat nga organet e pushtetit qendror dhe pushtetit lokal kërkojnë bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimeve në rastet e bartjes së pronësisë të pronës publike në emër të interesit publik”.
Gjatë seancës dëgjimore për rastin, Gjykata thotë se “asnjëra nga palët, përfshirë edhe parashtruesin e kërkesës, nuk e kontestoi ekzistimin e interesit publik për ndërtimin e Qendrës Rezidenciale”.
“Tutje, ashtu siç theksohet edhe në Aktgjykim, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kishte theksuar se ndërtimi i kësaj qendre materializon obligimet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës që rrjedhin nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Konventa për të Drejtat e Fëmijës dhe Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Në këto rrethana, Gjykata vlerësoi se interesi publik për ndërtimin e objektit në fjalë është i qartë dhe i pakontestueshëm, aq më tepër kur ky projekt është në dobi të të gjitha palëve të përfshira, përfshirë edhe vetë parashtruesin e kërkesës, përkatësisht Komunën e Graçanicës”, thuhet në vendim.
Gjykata thekson se “se autonomia lokale, ndonëse e garantuar me Kushtetutë, nuk është absolute, por ushtrohet në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe se kompetencat e komunave lidhur me menaxhimin e pronës publike duhet të lexohen në harmoni me përgjegjësitë kushtetuese të pushtetit qendror për realizimin e interesit publik”.
“Në fund, Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës nuk mbështesin ekzistimin e një ndërhyrjeje konkrete në kompetencat kushtetuese të komunës. Thënë këtë, Aktgjykimi sqaron se nga shkresat e lëndës rezulton që Vendimi i kontestuar i Qeverisë është nxjerrë në kuadër të kompetencave të përcaktuara me legjislacionin në fuqi dhe në funksion të realizimit të një interesi publik të qartë dhe të pakontestueshëm. Në këtë kontekst, Gjykata ritheksoi se bartja e pronës publike në rrethanat e rastit konkret nuk ka për pasojë privimin e komunës nga ushtrimi i kompetencave të saj vetëqeverisëse e as cenimin e autonomisë lokale të garantuar me Kushtetutë. Ajo konsideron se projekti për ndërtimin e “Qendrës Rezidenciale e Kosovës për autizëm, sindromë daun, dhe aftësi të kufizuar për fëmijë, persona të rritur dhe të moshës së shtyrë”, jo vetëm që është në përputhje me interesin publik, por edhe kontribuon drejtpërdrejt në avancimin e mbrojtjes sociale dhe realizimin e të drejtave të kategorive të ndjeshme të shoqërisë, në përputhje me obligimet kushtetuese dhe ndërkombëtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.
Në konstatimin përfundimtar, Gjykata Kushtetuese tha se “vndimi i kontestuar i Qeverisë nuk cenon përgjegjësitë dhe të hyrat komunale siç garantohen me nenet 12 [Pushteti Lokal], 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe 124 [Organizmi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës”.