Abdixhiku për Ramën: E solla në LDK kur s’e njihte askush, e shanin të gjithë

23:20 | 25 Qershor 2026
abdixhiku-per-ramen:-e-solla-ne-ldk-kur-s’e-njihte-askush,-e-shanin-te-gjithe

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka komentuar zërat për ambiciet e mundshme të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për të marrë drejtimin e partisë në të ardhmen.

Abdixhiku tha se çdo ambicie politike brenda LDK-së është e mirëpritur, duke theksuar se ai vetë kishte qenë mbështetësi kryesor i Ramës kur ky i fundit u përfshi në politikë.

“Janë krejt të mirëseardhura, çdo ambicie e pasuron LDK-në. Unë kam besuar që z. Rama i shërben Prishtinës, prandaj e kam sjellë kur nuk e ka njohur askush. E kam sjellë, kam dalë me të nëpër çdo degë e nëndegë të Prishtinës kur e kanë sharë të gjithë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka treguar edhe për reagimet e figurave të njohura të partisë kur ua kishte prezantuar Ramën për herë të parë.

“Në LDK jo. Kur e kam takuar në fillim Gazin, Imrin, Antonin e Lutën, kanë thënë: ‘Kush?’. Gazi më tha: ‘Po më duket e kam njohur në vitin 2004, s’di a është ai’”, ka rrëfyer Abdixhiku në Klan Kosova.

Sipas tij, strategjia e LDK-së kishte qenë forcimi i qeverisjes lokale, por rezultatet në nivel qendror nuk kanë qenë në përputhje me pritjet.

“Logjika ime ka qenë ‘hajde t’i forcojmë komunat’ dhe dolëm me rezultat të mirë në shtatë komuna. Por këtë s’po e njohin si rezultat. T’i fitojmë komunat një herë e më pas ju të punoni për neve, që ne të fitojmë e ta ngremë LDK-në më lart. Në zgjedhjet e dhjetorit ramë përtokë”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka shprehur pakënaqësi edhe për përfaqësimin e LDK-së në qeverisjen komunale të Prishtinës, duke pretenduar se partia e tij ka më pak drejtori sesa PDK-ja.

“LDK-ja ka vetëm tri drejtori, ndërsa PDK-ja i ka tetë”, ka deklaruar ai.

Duke komentuar përplasjen publike mes Ramës dhe Dejona Mihali, Abdixhiku tha se LDK-ja ka paralajmëruar prej vitesh për ndikimin e grupit që ai e quajti “grupi i Tiranës”.

“Po e para po më vjen mirë që e kanë zbulu Dejona-n tash. Na që gjashtë vjet jemi tu folë për grupin e Tiranës. Kur ka qenë bllokada, LDK e ka mbështet. E ka mbështet edhe në dy garat elektorale me një marrëveshje jo fort të qartë politike”, është shprehur ai.

Sipas Abdixhikut, strukturat e LDK-së në Prishtinë kanë punuar në mënyrë të pavarur dhe fitorja në kryeqytet nuk ka ardhur falë mbështetjes së partive të tjera.

“LDK-ja në Prishtinë ka fitu me forcat e veta, jo me parti të tjera. Këtë gjuhë s’e kam dashtë, s’e du dhe s’mund ta ushqej”, ka përfunduar ai.

Komento: