Policia e gjobit me 300 euro nënën pasi la fëmijët të mbyllur brenda veturës në vapë

15:25 | 30 Qershor 2026
policia-e-gjobit-me-300-euro-nenen-pasi-la-femijet-te-mbyllur-brenda-vetures-ne-vape

Një grua është gjobitur me 300 euro në Prizren, pasi i kishte lënë fëmijët e saj të mbyllur në një veturë të parkuar, në kushte të temperaturave të larta.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 27 qershor 2026, rreth orës 17:50, kur pranuan informacion se disa fëmijë ndodheshin të mbyllur brenda një automjeti të parkuar në një qendër tregtare në Prizren.

“Më datë 27.06.2026, rreth orës 17:50, Policia ka pranuar informacion se në një veturë të parkuar në një qendër tregtare në Prizren ndodheshin disa fëmijë të mbyllur brenda, të rraskapitur nga i nxehti, duke qenë se temperaturat ishin shumë të larta”, thuhet në njoftim.

Policia thotë se ka reaguar menjëherë duke shkuar në vendin e ngjarjes, ku me ndihmën e një shufre metalike ka hapur automjetin. Sipas policisë, fëmijët ishin të lodhur dhe të dehidratuar si pasojë e temperaturave të larta.

“Policia ka arritur menjëherë në vendngjarje dhe me ndihmën e shufrës metalike ka hapur automjetin. Fëmijët ishin të lodhur dhe të dehidratuar nga nxehtësia. Në ndërkohë, në vendngjarje është paraqitur edhe e ëma e tyre. Për shkak të moskujdesit ndaj të fëmijëve, policia i ka shqiptuar gjobë prej 300 euro, sipas kundërvajtjes “Moskujdes ndaj të miturit””, thuhet në njoftim.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që gjatë ditëve me temperatura të larta të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht ndaj fëmijëve, të moshuarve dhe personave me probleme shëndetësore.

“Duke marrë parasysh se tani në stinën e verës temperaturat janë shumë të larta, Policia apelon për kujdes të shtuar, sidomos ndaj fëmijëve, të moshuarve dhe personave të sëmurë. Në asnjë rast nuk duhet të lihen fëmijët të mbyllur në automjet, pasi pasojat mund të jenë fatale”.

Komento: