
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se pas certifikimit të rezultateve zgjedhore duhet të nisë komunikimi zyrtar mes partive politike për formimin e institucioneve, duke vlerësuar se deklarimet individuale të deritanishme vetëm sa e kanë vështirësuar procesin.
Kusari-Lila tha se deri tani nuk ka pasur qëndrime zyrtare të partive politike, me përjashtim të Aleancës, ndërsa theksoi se pas certifikimit të rezultateve duhet të nisin bisedimet institucionale.
Ajo tha se deri më tani kishte dëgjuar vetëm deklarime të përgjithshme nga përfaqësues të partive, por jo vendime zyrtare të tyre.
“Deri më tash çka kam dëgjuar, të paktën kanë qenë deklarime të përgjithshme të përfaqësuesve të partive, po jo në nivelin e vendimeve të këtyre partive. Përjashtoj njerëz të Aleancës që ka dalë konkretisht. Të tjerat kanë qenë kryesisht varësisht prej cilit krah në parti brenda subjekteve janë ose përfaqësojnë, ose çfarë mendimi kanë prezantuar, po jo në nivelin e vendimmarrjes politike. Unë besoj që në momentin e certifikimit të rezultateve, duhet të fillojë komunikimi zyrtar, me qëndrime zyrtare. Në rastin tonë është drejtuesi i partisë më të madhe të koalicionit, kryeministri Albin Kurti. Në pozicione të tjera janë kryetarët e partive, të cilët do të duhej të prezantonin qëndrimin zyrtar të partisë, por edhe të grupit të deputetëve që ata kanë. Për shkak se është situata pak më e komplikuar sesa në zgjedhjet e kaluara, kur sot nga një grupim parlamentar ose nga një subjekt politik ka dy-tri qëndrime. Kjo po se po e vështirëson shumë edhe do ta vështirësojë konstituimin e institucioneve apo një dakordim në mes të subjektit fitues të zgjedhjeve dhe partive tjera. Prandaj krejt kjo po mbetet të shihet nëse ata do t’i kenë qëndrimet e artikuluara dhe vendimet në raport me partinë më të madhe dhe bashkëpunimin e mundshëm”, tha ajo.
Duke komentuar kushtet e vendosura nga Aleanca, Kusari-Lila tha se projektet zhvillimore diskutohen përmes programit qeverisës dhe jo si parakushte politike.
“Tash përmendësh nuk po më kujtohen të gjitha, po sa i përket projekteve unë besoj që ajo është çështje që diskutohet me programin qeverisës. Dhe nëse një parti qet kushte të kësaj natyre, po nuk bëhet pjesë e qeverisë, nuk ka domethënie përmbajtja e saj. Ndërsa sa i përket në veçanti këtij projekti i cili është politizuar tepër shumë, as kujna nuk po besoj që i bën nder, as bashkëpunimit apo raporteve tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëse projektet strategjike apo resorte të rëndësisë që është energjia shfrytëzohen për beteja të brendshme politike”, tha ajo.
Ajo theksoi se debati për gazin amerikan dhe projektet energjetike duhet të bazohen në analiza ekonomike dhe jo në akuza politike.
“Unë e kuptoj që ka nevojë për diskutim edhe për debat përmbajtësor, por jo debat me akuzë dhe kundërakuzë për një projekt që do t’i tejkalojë mandatet e të gjitha qeverive, jo vetëm në rastin konkret për shembull diskutimi për gazin amerikan. Po sektori i energjisë në përgjithësi. Ne sot kemi resurset apo kapacitetet gjeneruese që janë dekada dekada, ka 60 vite që ke kapacitete gjeneruese, ndërsa sot përdoret për poena politike diskutimi dhe bastardohet komunikimi publik në mes të akterëve politikë me akuza kush është kundër Amerikës e kush s’e pranon një projekt. Domethënë kjo është tërësisht e gabuar. Dhe secili që ka kaluar nëpër procesin akademik ose arsimin universitar e di se duhet një komunikim dhe një prezantim i detajeve, i informatave që ka sens ekonomik e jo që merr komplet drejtim politik”, tha ajo.
E pyetur nëse koalicioni fitues do ta propozojë sërish Feride Rushitin për presidente, Kusari-Lila tha se ende nuk është diskutuar për emra konkretë dhe se partitë opozitare në procesin e kaluar nuk kishin paraqitur asnjë propozim.
“Nuk mund të flas për emra tash për shkak se kjo është një proces i cili është lënë të diskutohet në mes të partive politike siç e dini, është thënë që priten edhe rekomandime të tjera. Zonja Feride Rushiti rekomandim në momentin kur partitë opozitare atëbotë asnjë propozim nuk e kanë dhënë, asnjë emër publikisht nuk kanë folur. Ndoshta është momenti që me filluar me i trajtu gjërat seriozisht duke filluar prej qëndrimeve zyrtare të subjekteve politike që dakordohen edhe garantojnë për gjithë deputetët. Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, të dyja në herën e kaluar nuk kanë pasur propozime konkrete, asnjë propozim nuk e kanë dhënë kur janë ftuar në takim për të diskutuar emrat e presidentit”, tha ajo.