
Një operacion i ndërlikuar kërkim-shpëtimi ka përfunduar me sukses në Venezuelë, ku një roje sigurie 43-vjeçar u nxor i gjallë pasi kishte kaluar tetë ditë i bllokuar nën rrënojat e një qendre tregtare të shembur nga tërmetet.
Hernan Alberto Gil Flores u shpëtua në orët e para të së enjtes nga bodrumi i kompleksit tregtar “Galerias Playa Grande” në qytetin bregdetar të La Guaira, ku kishte mbetur i izoluar që nga 24 qershori.
Sipas ekipeve të shpëtimit, kontakti me 43-vjeçarin ishte vendosur disa ditë më parë, gjë që ndihmoi në organizimin e operacionit për nxjerrjen e tij nga rrënojat.
Momenti i shpëtimit u prit me emocione të mëdha nga ekipet ndërkombëtare të emergjencës, të cilat shpërthyen në duartrokitje sapo Gil Flores u nxor me barelë dhe u dërgua drejt një autoambulance për trajtim mjekësor.
Roja i sigurisë ndodhej në kabinën e tij të punës gjatë turnit të natës kur goditi tërmeti. Edhe pse ndërtesa u shemb, kabina ku ai qëndronte mbeti e paprekur, duke krijuar një hapësirë me ajër që i mundësoi të mbijetonte për më shumë se një javë.
Një nga pjesëtarët e ekipit të shpëtimit tregoi se, kur u gjet, 43-vjeçari kishte kërkuar që bashkëshortja e tij të mos njoftohej menjëherë se ishte gjallë, nga frika se gjendja e tij mund të përkeqësohej para se operacioni të përfundonte me sukses.
Shpëtimi i tij po konsiderohet një nga historitë më të jashtëzakonshme të mbijetesës pas tërmeteve që goditën Venezuelën.