Pas deklaratës në Politiko, këshilltari i Vitisë reagon ndaj Gani Kocit: Mbështetja iu miratua për dy ditë, nuk i dorëzoi dokumentet

12:20 | 03 Korrik 2026
pas-deklarates-ne-politiko,-keshilltari-i-vitise-reagon-ndaj-gani-kocit:-mbeshtetja-iu-miratua-per-dy-dite,-nuk-i-dorezoi-dokumentet

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas deklaratës së bërë mbrëmë nga ish-deputeti dhe ish-komandanti i UÇK-së për Moral në Zonën Operative të Drenicës, Gani Koci, në emisionin Politiko në Kanal 10, ku ai tha se prej dy vitesh po përballet me kancerin dhe se deri më tani nuk ka marrë asnjë ndihmë nga Qeveria apo nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor.

Përmes një reagimi të publikuar nga këshilltari politik i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, Durim Elshani, thuhet se pretendimi i Kocit se nuk ka pasur mbështetje nga institucionet nuk është i vërtetë.

Sipas reagimit, Gani Koci ka aplikuar në Fondin e Sigurimit Shëndetësor më 13 maj 2026. Vetëm dy ditë më vonë, Bordi ka shqyrtuar kërkesën dhe ka marrë vendim për mbështetje financiare për trajtimin e tij në Kroaci, sipas përzgjedhjes së vet.

Ministria bën të ditur se vendimi është tërhequr nga familjarët e Kocit më 18 maj 2026, ndërsa Fondi është ende në pritje të raportit mjekësor dhe faturës përfundimtare të trajtimit, dokumente që, sipas institucionit, ende nuk janë dorëzuar

“Pretendimi se nuk ka pasur mbështetje nga institucionet nuk është i vërtetë. Vendimi për mbështetje financiare është bërë për dy ditë. Siç mund ta shihni, më shumë kohë ka kaluar për tërheqjen e vendimit nga z. Koci, sesa për miratimin e mbështetjes nga institucioni”, thuhet në reagim.

Kujtojmë se Gani Koci i bëri këto deklarata mbrëmë në emisionin Politiko në Kanal 10, gjatë një diskutimi për shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Në të njëjtin emision, edhe veterani i luftës Xhevdet Qeriqi foli për vështirësitë shëndetësore me të cilat përballet si pasojë e plagëve të luftës dhe nevojën për sigurimin e një proteze.

Reagimi i plotë:

Lidhur me deklaratën e dhënë mbrëmë te gazetari Kushtrim B. Sadiku nga z. Gani Koci se nuk ka pasur mbështetje nga institucionet për trajtimin e tij, sqarojmë se:

Z. Gani Koci ka aplikuar në Fondin e Sigurimit Shëndetësor më 13 maj. Pas dy dite Bordi e ka shqyrtuar kërkesën dhe ka marrë vendim për mbështetje financiare për trajtimin e z. Koci në Kroaci, sipas përzgjedhjes së tij. Vendimi është tërhequr nga familjarët e z. Koci tri ditë më vonë, më 18 maj 2026.

Fondi është në pritje të raportit mjekësor dhe faturës përfundimtare të trajtimit, dokumente të cilat z. Koci ende nuk i ka dorëzuar.

Pretendimi se nuk ka pasur mbështetje nga institucionet nuk është i vërtetë. Vendimi për mbështetje financiare është bërë për dy ditë. Siç mund ta shihni, më shumë kohë ka kaluar për tërheqjen e vendimit nga z. Koci, sesa për miratimin e mbështetjes nga institucioni.

Z. Kocit i urojmë shërim të shpejtë!

E theksojmë se Institucioni ynë e ka pasur dhe do ta ketë gjithmonë ndjeshmërinë e veçantë ndaj kërkesave të qytetarëve që kanë dhënë kontribut për lirinë e vendit

Komento: