Policia e Kosovës pjesë e ushtrimit të përbashkët operacional “Shpata e Artë 2026-1”

13:25 | 04 Korrik 2026
policia-e-kosoves-pjese-e-ushtrimit-te-perbashket-operacional-“shpata-e-arte-2026-1”

Policia e Kosovës ka marrë pjesë më 2 dhe 3 korrik në ushtrimin e përbashkët operacional “Shpata e Artë 2026-1”, i zhvilluar në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë, në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), KFOR-in, EULEX-in dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME).

Qëllimi i ushtrimit ishte forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritja e gatishmërisë për reagim të koordinuar në menaxhimin e incidenteve kritike dhe situatave me rrezik të lartë, përmes procedurave të përbashkëta operative.

Skenari i ushtrimit përfshiu reagimin ndaj kërcënimeve të sigurisë, identifikimin dhe menaxhimin e mjeteve shpërthyese, menaxhimin e protestave të dhunshme, përdorimin e mjeteve të specializuara, evakuimin e personave dhe koordinimin e plotë ndërinstitucional në terren.

Në këtë aktivitet u angazhuan njësi operative dhe mbështetëse të Policisë së Kosovës, përfshirë Departamentin e Njësive Speciale Operative (DNJSO), Njësinë për Reagim të Shpejtë (NJRSH), Njësinë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (NJTME), Njësinë për Deminim dhe Asgjësim (NJDA), Drejtorinë për Siguri dhe Shërbime të Veçanta (DSHSH), si dhe njësitë e Rendit Publik.

Ushtrimi u ndoq nga drejtues të lartë të institucioneve pjesëmarrëse dhe partnerëve ndërkombëtarë, të cilët vlerësuan profesionalizmin, disiplinën operacionale dhe nivelin e koordinimit të treguar gjatë realizimit të skenarit.


Komento: