
Brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë filluar të mblidhen nënshkrimet për thirrjen e kuvendit të jashtëzakonshëm të kësaj partie pas rezultatit jo të mirë në zgjedhjet e fundit.
Në këtë kuvend pritet që të kërkohet shkarkimi i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Siç mëson KosovaPress, këtë iniciativë po e udhëheqë kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, i cili, gjithnjë sipas këtyre burimeve, po viziton degët në nivel vendi dhe po kërkon nënshkrimet e delegatëve.
Burime të KosovaPress brenda njërës nga degët e LDK-së dhe nga delegatë që tashmë e kanë dhënë nënshkrimin e tyre, gjithashtu mëson se numri i nënshkrimeve deri më tani është rreth 150, derisa është e ditur se LDK ka gjithsejtë 355 delegatë.
Për më tepër, siç mësohet, ishte Shkëmb Manaj ai që po ashtu ishte për vizitë në po të njëjtën degë duke provuar t’i bind delegatët që të mos i japin nënshkrimet e tyre.
Gjatë ditës së sotme, KosovaPress ka provuar të kontaktojë me Manajn dhe Muhaxherin, por të njëjtit nuk u janë përgjigjur telefonatave e as sms-ve.