
Me aktvendim të prokurorit, një person zyrtar është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Policia e Kosovës, përmes njësive të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka nisur hetimet pas pranimit të informatave për dyshimin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga i dyshuari në Kaçanik.
Sipas dyshimeve, ai, duke shfrytëzuar pozitën dhe autoritetin zyrtar, përveç dokumentacionit të rregullt të nevojshëm për pajisje me leje ndërtimi, i kishte kërkuar viktimës edhe dokumente shtesë (projekte), të cilat do t’i përgatiste kundrejt një pagese prej mbi 600 eurosh në një kompani private gjeodezike.
Pasi kishte marrë lejen e ndërtimit, viktima kishte vërejtur se dokumentet për të cilat kishte kryer pagesën nuk figuronin në dosjen zyrtare dhe për këtë kishte njoftuar Policinë.
Pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme hetimore dhe operative, në koordinim me prokurorin e rastit nga Prokuroria Themelore, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Pas intervistimit, prokurori ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë.