
Rezultatet e Testit të Arritshmërisë 2026 nuk sollën ndonjë ndryshim domethënës krahasuar me vitet e kaluara, ndërsa rënia e vazhdueshme e performancës në matematikë, gjuhë dhe shkencë mbetet shqetësuese, vlerëson drejtori ekzekutiv i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Qehaja tha se Ministria e Arsimit dhe Shkencës duhet të shkojë përtej statistikave dhe të analizojë arsyet konkrete që po ndikojnë në rezultatet e dobëta të nxënësve.
Ai tha se rezultatet e sivjetme konfirmojnë trendin e viteve të fundit.
“Mesatarja e performancës në testin e arritshmërisë, si trend statistikor, është e ngjashme ndër vitet e fundit. Nuk ka ndonjë ndryshim substancial qoftë në kalueshmëri, qoftë edhe në rezultate. Ajo çfarë vërehet është një trend në rënie i performancës së nxënësve në matematikë, gjuhë dhe shkencë, e kjo është ajo shqetësuesja e cila patjetër që meriton vëmendje. Ajo çfarë na mungon aktualisht është një analizë se kush është ky rezultat. Dhe kush është ai dështimi që po e nxit atë rezultat. Pra, është e lehtë të thuhet që ka një kalueshmëri të ulët, por ne duhet ta kuptojmë me saktësi se nga kush dhe nga çfarë po nxitet kjo. A ka të bëjë me dështim në mësimdhënie, në cilësinë e munguar të teksteve, apo në dështimet e planifikimeve? Kush është ajo që po shkakton mosarritjen e rezultateve dhe për rrjedhojë mosperformancë në vlerësimet e jashtme, sikurse është Testi i Arritshmërisë”, tha ai.
Sipas Qehajës, MASH-iduhet të publikojë analiza të detajuara dhe jo vetëm të dhëna statistikore.
“Ne nuk kemi nevojë për statistika deskriptive që na përshkruajnë përqindjet, por kemi nevojë për analiza të sakta sasiore dhe cilësore të asaj se kush është nxitësi i këtij rezultati. A ka të bëjë me dështimin në vëmendje te nxënësve apo pedagogjike? Kjo është ajo që na nevojitet të na prezantohet me saktësi nga MASHT-i”, tha ai, për Ekonomia Online.
Ai shtoi se një administrim më rigoroz i testit mund të kishte prodhuar rezultate edhe më të ulëta, duke theksuar se performanca lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e sistemit arsimor.
“Ajo çfarë ne duhet ta kuptojmë me saktësi është që nëse në këtë rezultat ndikuesi kryesor, e para, është keqadministrimi i testimit, që gjykoj që është. Pasi që një administrim më rigoroz i këtij testimi do të na sillte një rezultat ende më të ulët. Nëse ai rezultati real që do të duhej të ishte edhe më i ulët i performancës së nxënësve në test është pastaj detyrimisht i lidhur në korelacion të drejtë me metodologjitë e mësimdhënies, mungesën e infrastrukturës nëpër shkolla, planprogramet jo të përditësuara dhe me tekste shkollore që nuk e arrijnë rezultatin. Pra, ka një grumbull indikatorësh që na sjellin këtë rezultat, por që nuk mund t’i paragjykojmë apo t’i supozojmë si të mirëqena. Këtu na nevojitet një analizë më e saktë metodologjikisht rigoroze, e cila na garanton rezultate që ia vlen të debatohen për të gjetur zgjidhje”, tha ai.
Qehaja u shpreh se Testi i Arritshmërisë duhet të shërbejë kryesisht si instrument orientues për nxënësit dhe jo si mekanizëm që u shkakton stres për regjistrim në shkollat e mesme.
“Testi i Arritshmërisë, parimisht, ka karakter orientues, por jo certifikues. Në thelb sikur të kishim një vlerësim të brendshëm real të shkollave fillore, të mesme të ulëta, pra nota 5 jo të fryra, ai vlerësim ideal do të duhej të ishte filtrimi kryesor për shkollimin e mesëm të lartë. Por, në mungesë të kësaj, tashmë një mekanizëm na nevojitet i ndërmjetëm që na garanton një filtër si kriter për regjistrimin në shkollat e mesme të larta. Unë do të doja të shihja një Test të Arritshmërisë që në të vërtetë ka karakter orientues vetëm. Pra, t’i shërbejë nxënësit për të kuptuar nëse është më shumë për gjimnaz apo për shkolla profesionale, nëse për shkolla profesionale për cilat profile. Pra, më shumë si orientim në karrierë sesa si një instrument vlerësimi për regjistrim, që më shumë u shkakton stres sesa u shërben si një udhëzim se ku duhet të vazhdojnë tutje”, tha ai.
Sipas rezultateve të publikuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në Testin e Arritshmërisë 2026 morën pjesë 21.982 nxënës, ndërsa arritshmëria mesatare në nivel vendi ishte 48.35 për qind. Rezultatet më të larta u shënuan në Gjuhë angleze (65.97%), Histori (62.23%) dhe Gjuhë shqipe (54.63%), ndërsa performanca më e ulët u regjistrua në Kimi (37.68%) dhe Matematikë (37.93%).