Plagosja në Tiranë, tre të arrestuar dhe një 17-vjeçar në kërkim

10:40 | 07 Korrik 2026
plagosja-ne-tirane,-tre-te-arrestuar-dhe-nje-17-vjecar-ne-kerkim

Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën “Frosina Plaku”, ku disa persona u përfshinë në një konflikt fizik me sende të forta, ndërsa njëri prej tyre dyshohet se përdori edhe thikë.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, ngjarja ndodhi në hyrjen e një parkimi të një ndërtese, ku pas marrjes së informacionit, Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, nisën menjëherë hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e personave të përfshirë.

Si rezultat i veprimeve hetimore, policia ka arrestuar në flagrancë tre persona, L. N., 46 vjeç, A. L., 44 vjeç dhe E. K., 23 vjeç. Ata dyshohen për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Ndërkohë, një tjetër person, A. I., 33 vjeç, është proceduar penalisht në gjendje të lirë, pasi ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Policia ka shpallur në kërkim edhe E. L., 17 vjeç, i dyshuar për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Uniformat blu bëjnë me dije se vijon puna për kapjen e 17-vjeçarit, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Komento: