
Zëvendëskryeministri dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Edmondo Cirielli, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet aktuale politike.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në takim u bisedua për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, anëtarësimin në NATO, si dhe për zhvillimet politike në vend, përfshirë procesin e formimit të qeverisë së re.
Po ashtu, vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Italisë, me theks në rritjen e shkëmbimeve tregtare, intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta.
Konjufca e falënderoi zëvendësministrin italian për mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit, duke theksuar se Italia mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë të vendit.
Sipas MPJD-së, takimi u zhvillua në frymë miqësore dhe konstruktive, duke rikonfirmuar përkushtimin e të dyja vendeve për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët.