
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë që Irani të deklarojë publikisht se Ngushtica e Hormuzit është e hapur dhe të premtojë se do të ndalojë sulmet ndaj anijeve tregtare, si pjesë e negociatave që pritet të zhvillohen të shtunën në Oman, shkruan BBC.
Mediat amerikane, duke cituar zyrtarë anonimë, raportojnë se Teherani ua ka pranuar privatisht këshilltarëve të presidentit Donald Trump se sulmet ndaj anijeve ishin një gabim, megjithëse iranianët thuhet se fajin ia kanë atribuuar një grupi të pakontrolluar brenda vendit.
Trumpi ka deklaruar se të dyja palët kanë rënë dakord të vazhdojnë bisedimet, pavarësisht përplasjeve të kësaj jave në Ngushticën e Hormuzit, të cilat Shtëpia e Bardhë i konsideron shkelje të armëpushimit.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, tha se vendi i tij “e ka mbajtur fjalën” lidhur me armëpushimin, duke shkruar në X se ishte ShBA-ja ajo që e kishte shkelur marrëveshjen.
Në qershor, SHBA-ja dhe Irani nënshkruan një marrëveshje armëpushimi, sipas së cilës Irani, ndër të tjera, do të garantonte kalimin e sigurt të anijeve tregtare.
Sipas zyrtarëve të lartë amerikanë, Teherani ka deklaruar se një fraksion i ashpër dhe “jashtë kontrollit” u përpoq të sabotonte negociatat duke qëlluar mbi anijet tregtare.