
BE-ja e ka emëruar si përfaqësues të saj të ri Kosovë, diplomatin gjerman Dirk Schübel, i cili, aktualisht është drejtues i Divizionin për Rusinë në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), që ndryshe njihet edhe si “ministria e Jashtme” e Unionit.
“Ambasadori” i ri i BE-së në Prishtinë do ta marrë detyrën më 1 shtator 2026, me mandat fillestar dyvjeçar, duke pasuar finlandezin Aivo Oravin.
Schübel, sipas një njoftimi të EEAS, thuhet se është diplomat me përvojë të gjatë në institucionet evropiane dhe politikën e jashtme gjermane. Para se ta marrë përsipër drejtimin e Divizionit për Rusinë në EEAS, ai shërbeu, nga shtatori i vitit 2022 deri në korrik 2024 edhe si i dërguar special i BE-së për Partneritetin Lindor. Në këtë mekanizëm ai ka drejtuar Divizionin për Marrëdhëniet Dypalëshe duke mbuluar marrëdhëniet e BE-së me Ukrainën, Bjellorusinë, Moldavinë, Gjeorgjinë, Azerbajxhanin dhe Armeninë, si dhe ka shërbyer në Delegacionin e BE-së në Kiev.
Më herët, ai ishte shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Bjellorusi (2019–2022) dhe ambasador e shef i Delegacionit të BE-së në Moldavi (2009–2013).
Karrierën e tij e ka ndërtuar në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm, Komisionin Evropian dhe Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë.
Në Komisionin Evropian ka punuar në drejtoritë për Energji dhe Transport, Zgjerim dhe Tregti, ndërsa në diplomacinë gjermane është marrë me marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare dhe tregtinë e jashtme.
Sipas Këshillit të BE-së, mandati i Schübelit do të përqendrohet në promovimin e një Kosove stabile, demokratike dhe shumetnike, duke mbështetur perspektivën evropiane të saj.
Ai, gjithnjë sipas njoftimit të EEAS, do të monitorojë zhvillimet politike, ekonomike dhe të sigurisë, do të kontribuojë në forcimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave…
“Për më tepër, mandati (i Schübel) përfshin ofrimin e udhëzimeve politike në nivel lokal për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), si dhe mbështetjen e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me qëllim forcimin e stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore”, thuhet në njoftimin e EEAS për emërimin e tij.
Në biografinë e tij zyrtare thuhet se Schübel është i martuar dhe ka një vajzë.