Rasti në Pediatri, KOMF ngre alarm për kushtet në shërbimet shëndetësore për fëmijët

19:40 | 13 Korrik 2026
rasti-ne-pediatri,-komf-ngre-alarm-per-kushtet-ne-sherbimet-shendetesore-per-femijet

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka ngritur shqetësime për sfidat me të cilat përballen fëmijët në qasjen dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore në Kosovë, kjo pasi një nënë në Klinikën e Pediatrisë tregoi për kushtet e rënda në këtë klinikë.

KOMF ka theksuar se ndonëse kujdesi shëndetësor falas për fëmijët garantohet me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, mungesa e personelit, kushtet infrastrukturore, furnizimi i pamjaftueshëm me barna dhe material shpenzues vazhdojnë të ndikojnë në cilësinë e trajtimit.

KOMF ka kërkuar masa urgjente për përmirësimin e kushteve, rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe krijimin e një sistemi të rregullt për monitorimin e përvojës së pacientëve, duke theksuar se zëri i prindërve duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes në shëndetësi.

Reagimi i plotë:

E drejta e fëmijës për kujdes shëndetësor është e garantuar me Konventën për të Drejtat e Fëmijës, Ligjin për Shëndetësi dhe Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës. Neni 42 i Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës garanton kujdes shëndetësor falas për fëmijët, duke u mundësuar atyre qasje në shërbime të trajtimit dhe rehabilitimit sipas standardeve të larta. Për garantimin e kësaj të drejte është përgjegjëse Ministria e Shëndetësisë.

Megjithatë, fëmijët vazhdojnë të përballen me sfida në qasjen dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore. Sipas hulumtimit të realizuar nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve, organizatë anëtare e KOMF, në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit dhe Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit për matjen e kënaqshmërisë dhe përvojave të pacientëve, janë evidentuar mangësi të shumta, veçanërisht në shërbimet shëndetësore për fëmijët. Pacientët e Repartit të Pediatrisë renditen ndër repartet me nivelin më të ulët të kënaqshmërisë krahasuar me pacientët e reparteve të tjera. Në këtë kanë ndikuar faktorë të ndryshëm, si qasja ndaj pacientëve, cilësia e shërbimeve mjekësore, infermierore dhe diagnostike, kushtet infrastrukturore dhe higjiena, furnizimi me barna, cilësia e ushqimit, etj. Të dhënat po ashtu tregojnë se niveli i higjienës në repartet e pediatrisë është më i ulët krahasuar me repartet e tjera, duke ngritur shqetësime serioze për cilësinë dhe sigurinë e kujdesit që u ofrohet fëmijëve.

Sipas Kartës së Vlerësimit të publikuar nga KOMF, një nga sfidat kryesore në kujdesin sekondar dhe terciar mbetet mungesa e personelit shëndetësorë dhe mbingarkesa e klinikave të pediatrisë. Klinika e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës vazhdon të punojë me kapacitete të kufizuara dhe me mbingarkesë të vazhdueshme. Numri i personelit shëndetësor mbetet i pamjaftueshëm në raport me numrin e pacientëve fëmijë, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e ofrimit të shërbimeve.

Funksionalizimi i Spitalit të ri Kirurgjik Pediatrik ka përmirësuar përkujdesjen shëndetësore për fëmijët në nivel terciar, duke integruar shërbimet e emergjencës pediatrike, traumës, rikuperimit, si dhe ambulancat specialistike pediatrike dhe kirurgjike. Megjithatë, një pjesë e madhe e shërbimeve pediatrike vazhdon të operojë në “objektin e vjetër të Klinikës së Pediatrisë, në kushte infrastrukturore absolutisht të pa pranueshme që nuk përmbushin standardet për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe dinjitoze për fëmijët.

Edhe pse Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës garanton kujdes shëndetësor falas, në vazhdimësi raportohet nga prindërit dhe mediat për mungesë të barnave dhe materialeve shpenzuese në kujdesin parësor shëndetësor, spitalet rajonale dhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Mungesa e barnave dhe terapisë së nevojshme mund të ketë pasoja serioze për shëndetin e fëmijëve, ndërsa në mungesë të tyre, prindërit detyrohen t’i sigurojnë ato me shpenzimet e tyre, edhe kur bëhet fjalë për barna nga Lista Esenciale. Kjo cenon parimin e qasjes së barabartë në kujdesin shëndetësor dhe krijon barrë financiare për familjet.

Aktualisht institucionet nuk disponojnë të dhëna për nivelin e kënaqshmërisë së pacientëve me shërbimet shëndetësore, pasi nuk ekziston një sistem monitorimi për matjen e përvojës dhe kënaqshmërisë së pacientëve. Përvojat e pacientëve duhet të shërbejne si një burim i rëndësishëm për identifikimin e mangësive dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, ndërsa përjashtimi i tyre nga procesi i vlerësimit është i pa paranueshëm dhe rrezikon që problemet reale të mbeten të padukshme dhe të paadresuara.

Është e domosdoshme që institucionet shëndetësore të ndërmarrin masa urgjente për përmirësimin e kushteve, rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe garantimin e shërbimeve cilësore me në qendër fëmijën. Zëri i prindërve duhet të jetë pjesë e pandashme e çdo vendimmarrjeje për shëndetësinë.

Komento: