Hamiti: SHBA po e fillon me Serbinë dialogun strategjik të cilin e pezulloi me Kosovën

12:10 | 14 Korrik 2026

Muhamet Hamiti nga LDK ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë pezulluar dialogun strategjik me Kosovën, duke shtuar se të njëjtin, SHBA-ja do e fillojë me Serbinë këtë javë.

Ai në postimin e tij ka shtuar  mes tjerash se “në këtë derexhe ka rënë Kosova pas ardhjes në pushtet të koalicionit të Vetëvendosjes me moton “Krejt dhe drejt” më 2021”.

Postimi i plotë:

Kosovës iu pezulllua Dialogu Strategjik me SHBA-të vitin e kaluar, Serbia po e nis tash

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) e pezulluan për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën në mesin e shtatorit të vitit 2025.

Ndërkohë, këtë javë po filluaka dialogu strategjik i SHBA-ve me Serbinë.

Le të kujtojmë se çka thoshin SHBA-të kur e pezulluan këtë dialog me Kosovën:

“Veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”. Më tej, “fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, thuhej në njoftimin e Ambasadës së SHBA-vë në Prishtinë.

Vitin e kaluar, kur u pezullua dialogu, Presidente e Kosovës ishte Vjosa Osmani, kryeministër në detyrë Albin Kurti.

Tash, sërish, kryeministër në detyrë i Kosovës është Albin Kurti, ndërsa ushtruese e detyës së Presidentit, kolegia e tij nga Vetëvendosja (VV), Albulena Haxhiu. VV-ja po e mban pushtetin absolut, “krejt dhe drejt”.

Më tej, deputeti Albin Kurti vazhdon ta mbajë edhe detyrën e kryeministrit në detyrë, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, e cila nuk i lejon deputetit/es të mbajë pozitë ekzekutive. Po kështu edhe shumë të tjerë nga Qeveria aktuale e Vetëvendosjes.

Në vitet 2025-2026, Albin Kurti e ka drejtuar Qeverinë e vet efektivisht pa mbikëqyrje parlamentare.

Në këtë derexhe ka rënë Kosova pas ardhjes në pushtet të koalicionit të Vetëvendosjes me moton “Krejt dhe drejt” më 2021.

Komento: