Vdes një 13-vjeçare në aksident tragjik në autostradën A3 në Gjermani, Policia kërkon një Porsche

14:35 | 15 Korrik 2026
vdes-nje-13-vjecare-ne-aksident-tragjik-ne-autostraden-a3-ne-gjermani,-policia-kerkon-nje-porsche

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të martën në mbrëmje në autostradën A3 në Gjermani, në segmentin mes Passau-Süd dhe Pocking, ku një vajzë 13-vjeçare vdekur dhe katër persona të tjerë kanë pësuar lëndime të rënda.

Sipas policisë, në veturën BMW, e cila po udhëtonte në drejtim të Austrisë, ndodheshin pesë persona, përfshirë edhe dy fëmijë.

Bazuar në informacionet e para, automjeti ka dalë me një rrotë në pjesën anësore të rrugës, pas së cilës shoferi ka humbur kontrollin.

BMW-ja ka goditur barrierën ndarëse në mes të autostradës, ka kaluar në korsinë e kundërt, është rrokullisur disa herë dhe më pas ka përfunduar e ndalur te mbrojtëset anësore të rrugës, raporton Bild.

Vajza 13-vjeçare ka pësuar lëndime fatale dhe ka ndërruar jetë në vendin e aksidentit. Shoferi 35-vjeçar, me shtetësi bullgare, si dhe tre pasagjerë të tjerë kanë pësuar lëndime të rënda dhe janë dërguar në spital pas trajtimit të parë.

Policia gjermane është vënë në kërkim të një Porsche 911, i cili ndodhej në vendin e aksidentit në momentin e përplasjes.

Autoritetet po hetojnë nëse ky automjet ka pasur ndonjë rol në shkaktimin e aksidentit.

Sipas policisë, Porsche nuk ka pasur dëmtime të dukshme nga aksidenti, por drejtuesi i tij kërkohet për të sqaruar rrethanat dhe për të përcaktuar nëse ka ndonjë lidhje me ngjarjen.

Automjeti është larguar nga vendi i aksidentit në drejtim të Austrisë.

Komento: