
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka refuzuar të komentojë nëse do t’i vazhdojë takimet me krerët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në kuadër të përpjekjeve për konstituimin e institucioneve të reja.
I pyetur nga gazetarët nëse do të ketë një ftesë të re për partitë politike, Kurti u përgjigj shkurt:
“Këtu jemi për çështjet e energjisë.”, tha shkurt ai.
Ai nuk dha detaje të tjera lidhur me procesin e konsultimeve politike.
Deklaratën e bëri gjatë ceremonisë së nisjes së ndërtimit të Parkut Solar në Rahovec.
Në kuadër të përpjekjeve për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për legjislaturën e njëmbëdhjetë, më 10 korrik Kurti zhvilloi takime të ndara në Kuvendin e Kosovës me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Këto takime u mbajtën pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) certifikoi rezultatet e zgjedhjeve më 8 korrik.
Sipas rezultateve të certifikuara, Lëvizja Vetëvendosje doli forca e parë politike me 47.13 për qind të votave, duke siguruar 53 ulëse në Kuvend. PDK-ja u rendit e dyta me 19.44 për qind ose 22 deputetë, ndërsa LDK-ja fitoi 16.69 për qind të votave dhe 18 ulëse. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) siguroi 6.74 për qind të votave, që përkthehen në shtatë mandate, ndërsa 20 ulëse u takojnë partive që përfaqësojnë komunitetet joshumicë.