Gashi: Mesazhi i elektoratit është i qartë, LDK duhet të reflektojë

18:20 | 15 Korrik 2026
gashi:-mesazhi-i-elektoratit-eshte-i-qarte,-ldk-duhet-te-reflektoje

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka reaguar pasi u dorëzuan nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë.

Përmes një postimi në Facebook, Gashi ka deklaruar se LDK-ja është “një ideal, një histori dhe një përgjegjësi ndaj Kosovës”, duke theksuar se kërkesa për mbledhjen e Kuvendit dhe ngritjen e çështjes së votëbesimit përbën ushtrim të demokracisë së brendshme dhe përgjegjësisë politike.

Sipas tij, pas tri proceseve zgjedhore, mesazhi i elektoratit është i qartë dhe LDK-ja ka nevojë për reflektim, vendimmarrje dhe një vizion të ri për t’u rikthyer si forcë udhëheqëse në vend.

“Kjo nuk është betejë kundër një individi, por kërkesë për një standard më të lartë politik, për llogaridhënie dhe për një LDK më të fortë”, ka shkruar Gashi, raporton Gazeta10.

Ai ka shtuar se Kuvendi është institucioni ku vendos demokracia brenda partisë dhe aty duhet të përcaktohet drejtimi i ardhshëm i LDK-së “me guxim, përgjegjësi dhe vizion”.

Në fund, Gashi ka bërë thirrje për një LDK “që bashkon, udhëheq dhe fiton përsëri”. /Gazeta10/

Komento: