Nga nënshkrimet për shkarkimin e Abdixhikut te pezullimi i negociatave, krjet çka ndodhi dje në LDK

09:25 | 16 Korrik 2026
nga-nenshkrimet-per-shkarkimin-e-abdixhikut-te-pezullimi-i-negociatave,-krjet-cka-ndodhi-dje-ne-ldk

Pas dorëzimit të nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm, në Lidhjen Demokratike të Kosovës u zhvilluan ngjarje që e thelluan krizën e brendshme të partisë. Kreu i saj, Lumir Abdixhiku, njoftoi se po pezullon të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të reja të Kosovës, duke vlerësuar se nuk mund të vazhdojë negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje derisa mandati i tij si kryetar është vënë në pikëpyetje.

Përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, Abdixhiku bëri të ditur se ka autorizuar sekretariatin e LDK-së të nisë procedurat për organizimin e Kuvendit të jashtëzakonshëm, pasi 148 delegatë dorëzuan nënshkrimet duke kërkuar shkarkimin e tij nga drejtimi i partisë.

Ai tha se, pas verifikimit të nënshkrimeve, do të caktohet data dhe vendi i mbajtjes së Kuvendit.

“Për shkak të kësaj nisme, detyrohem t’i ndërpres të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Republikës që qytetarët i presin tash e sa kohë”, deklaroi Abdixhiku.

Sipas tij, nuk do të ishte as serioze dhe as e përgjegjshme të vazhdonte negociatat në emër të LDK-së, ndërkohë që legjitimiteti i tij për ta udhëhequr partinë po sfidohet nga vetë anëtarësia.

Abdixhiku shprehu keqardhje që vëmendja është rikthyer te zhvillimet e brendshme të partisë, duke paralajmëruar se kjo situatë mund ta dëmtojë LDK-në dhe njëkohësisht ta lërë Kosovën pa institucione të reja, me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në vjeshtë.

Ai shtoi se nuk beson që bisedimet e zhvilluara me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kanë qenë arsyeja e nismës për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm. Sipas Abdixhikut, në historinë 37-vjeçare të LDK-së nuk ka ndodhur që një kryetar të përballet me një iniciativë për shkarkim vetëm pak muaj para zgjedhjeve të rregullta partiake.

Pak para deklarimit të tij, disa media raportuan se mes LDK-së dhe LVV-së ishte arritur në parim një marrëveshje për ndarjen e posteve kryesore shtetërore, por burime brenda LDK-së i mohuan këto raportime, duke theksuar se nuk ekziston asnjë marrëveshje.

Më herët gjatë ditës, deputeti i zgjedhur i LDK-së, Armend Zemaj, konfirmoi se janë dorëzuar mbi 150 nënshkrime për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm. Sipas Statutit të LDK-së, një kuvend i tillë mund të thirret me kërkesën e të paktën një të tretës së delegatëve.

Nisma vjen pas pakënaqësive të shtuara brenda partisë për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të qershorit, ku LDK u rendit e treta, duke siguruar 18 ulëse në Kuvend. Situata është tensionuar edhe më shumë në kohën kur Abdixhiku kishte nisur bisedimet me Albin Kurtin për një marrëveshje mbi formimin e institucioneve të reja të vendit.

Komento: