
Kryeinxhinieri i centralit të energjisë bërthamore në Zaporizhia të Ukrainës, i kontrolluar nga rusët, është vrarë nga një dron ukrainas afër stacionit, tha të mërkurën drejtori i korporatës bërthamore të Rusisë, “Rosatom”.
Alexei Likhachec tha në një deklaratë se një dron ukrainas kishte goditur një automjet shërbimi mes hapësirave të centralit dhe në qytezën Enerhodar, duke i lënë të vrarë inxhinierin, Alexander Yakovlev, dhe vozitësin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Forcat ruse e morën nën kontroll centralin e energjisë bërthamore, që ndodhet në juglindje të Ukrainës dhe që është më i madhi në Evropë me gjashtë reaktorë, në javët e para të luftës më 2022.
Palët rregullisht e kanë akuzuar njëra-tjetrën për veprime ushtarake që e kanë vënë në rrezik sigurinë bërthamore.
Qyteti Enerhodar, ku jeton pjesa më e madhe e stafit të centralit bërthamor, ka qenë shpesh në shënjestër të sulmeve.
Likhachev-i tha se dështimi i shteteve perëndimore për të reaguar ndaj sulmeve ndaj centralit “e inkurajon përshkallëzimin e akteve terroriste nga qeveria ukrainase”, duke shtuar se sulmet në atë zonë kanë lënë të vrarë 13 njerëz e kanë lënduar 48 të tjerë gjatë dy muajve e gjysmë të fundit.
Rafael Grossi, drejtor i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, e cila është pjesë e Kombeve të Bashkuara, e dënoi incidentin, por nuk i përmendi në mënyrë specifike Rusinë apo Ukrainën.
Grossi tha se ky rast “paraqet një sulm të papranueshëm ndaj centralit dhe menaxhmentit të tij, duke e rrezikuar seriozisht sigurinë bërthamore”.